
10 vite më parë një termet shkatërrimtar rrënoi mjafton qytete të Italisë, ku simboli fatkeq ishte Aquila. Asokohe kryeministër, Silvio Berluskoni premtoi rindërtim në kohë rekord edhe pse shifra- 12 miliardë euro, në dukje ishte mjaft e lartë për zonën e Abruzzo-s. Sot, akoma nuk ka përfunduar as gjysma e punës, sipas raportimeve nga institucionet italiane.
Berluskoni u rrëzua me zgjedhje dhe premtimet e dhëna nga ai, qeveritë që e pasuan, nuk po arrijnë ti mbajnë. E si për ironi të fatit, kur Berluskoni shkon në zonat e dëmtuara nga termeti, jo pa krenari përsërit se “të isha unë në qeveri, rindërtimi kishte përfunduar”.
Shqipëria nuk është Italia dhe për rindërtimin e dëmeve të shumta nga termeti i 26 nëntorit, sipas gjasave, nuk duan 12 miliardë euro. Një shifër e tillë, janë gati tre vite buxheti i shtetit i Shqipërisë dhe premtimet për rindërtim brenda 2020- ës do të ishin thjeshtë një “ëndërr e një dite nëntori”. Për me një përllogaritje paraprake të specialistëve, për rindërtimin e ndërtesave të shkatërruara, duhen së paku 500 milion euro. Këtyre u duhen shtuar edhe para të tjera sepse është parashikuar të kalojnë në sitë të gjitha ndërtesat në zonën e termetit, të cilat nëse nuk kalojnë testet e sigurisë, duhet të shemben. Sipas gjasave, shuma që nevojitet, mund të arrijë edhe në 1 miliardë euro. E për Shqipërinë, është një shumë e stërmadhe, edhe nëse bujaria brenda e jashtë vendit do të vazhdojë me ritmin e këtyre ditëve.
Edi Rama nuk është Silvio Berluskoni, edhe pse premtimet për situatën e termetit janë në të njëjtën linjë. Ish- kryeministri italian nuk pati nevojë ti bëjë thirrje publike opozitës së asaj kohe për pajtim- bashkëpunim për përballimin e pasojave të termetit. Së pasi, sepse përgjegjësia direkte për përballimin e situatave të tilla, është e qeverisë. Së dyti, sepse politika italiane nuk është politika shqiptare, edhe pse Italia nuk është shembulli më i mirë i bashkëpunimit politik në BE.
Ftesat e përsëritura nga Edi Rama për opozitën e vërtetë, fillimisht nga rrjetete sociale e më pas nga ekranet e ERTV e medieve të tjera nga mbledhja e qeverisë, mund të dekriptohen pa shumë vështirësi.
E para, kryeministri aktual vazhdon në linjën e tij të propagandës me idenë se “ja, unë po bëj përsëri thirrje për tu ulur në tavolinë, për të diskutuar dhe vendosur në interes të qytetarëve, unë jam iniciatori që shtrij përsëri dorën i pari”.
E dyta, kryeministri vazhdon në linjën e tij për të identifikuar opozitën e vërtetë si “e keqja” e këtij vendi. Përmes rreshtave të Ramës “mos ia kurseni popullit shqiptar këtë nevojë”, kryeministri po vazhdon të mbjellë tek qytetarët këtë ide, deri në pikën që “opozita nuk pranon as të diskutojë për hallet tuaja, as në ditë të kiametit”.
E treta, kryeministri tenton ti kalojë një pjesë të përgjegjësisë për sot por edhe për nesër opozitës së vërtetë, e cila sigurisht që do të vijë në pushtet dhe do të vihet para përgjegjësisë pikërisht për bashkëndarjen e tryezës me mazhorancën e sotme.
E katërta, opozita prej gati tetë muajsh është jashtë institucioneve, nuk i njeh ato por “babaxhani” kërkon të japëidenë se i “vlerëson” akoma duke i ftuar të ulen në tavolinë.
E pesta, siç ka bërë me nismat apo “reformat” e tjera, kryeministri pse nuk fton në tryezë “opozitën e re”. Ajo është brenda institucioneve, ka edhe poste të rëndësishme. Për një arsye të thjeshtë: Sepse “opozita e re” nuk do të vijë kurrë në pushtet për ti “kërkuar llogari” për mosmbajtjen e premtimeve që mund të bashkëndahen në tryezën e sotme të rindërtimit.
Sot opozita e vërtetë do të mbledhë ekspertë për situatën e pas termetit. Sipas gjasave, do të jetë alternativë jo vetëm në përballimin e emergjencave por edhe në propozimet për rindërtimin e pritshëm. E sigurisht, përmes mediave edhe kryeministri do të njihet me këtë alternativë dhe është në dorën e tij ta marrë ose jo për bazë, të plotë apo elementë të saj.
Opozita nuk mund të bëhet palë me qeverinë në një situatë, qoftë kjo edhe pas një katastrofe si ajo e 26 nëntorit. Sepse është një qeveri që nuk ka pyetur dhe nuk pyet shumë jo për opozitën por as për Presidentin që vetë e zgjodhi. Edhe ftesat e përsëritura këto orë, shkojnë në linjën e mbajtjes sa më gjatë të pushtetit. Edhe pas rënies së natyrshme, do të lërë jashtë “litarin e Nastradinit” për ta përdorur në favor. Gjithmonë dhe me këmbëngulje, përmes një propagande. Tanimë në një shkallomë të lartë PR-i, si propagandë brenda vetë propagandës. /Nga Blerti DELIJA/