SHËNIM/ A e dha dorëheqjen thjesht për një “fjalë goje” kryebashkiakja e “30 qershorit”…?!

“Për hir të së vërtetës, ky ishte një tërmet shkatërrimtar, por të jemi të kënaqur me 50 viktima për arsye se në raste të tjera ka pasur mbi 1 mijë viktima”. Kjo është deklarata që sipas asaj që deklaroi vetë, e detyroi të japë dorëheqjen kryebashkiaken e Durrësit Valbona Sako. “Fjala nuk bjen mort” themi ne në Veri, por “shkurtoi kokën” e qytetarit të parë të qytetit më të dëmtuar nga termeti i 26 Nëntorit.

Në pamje të parë, mund të klasifikohet si “lapsus frojdian”. Shumë nga ne, duke u njohur hap pas hapi me përmasat shkatërrimtare të termetit dhe orën kur ndodhi, kanë shprehur “kënaqësinë” njerëzore që numri i viktimave nuk ishte më i lartë. Cinizmi i sinqertë i gjithsecilit, por i shprehur në vetë të parë edhe para një kamere, është konsideruar i papranueshëm nga vetë autorja. Mund të klasifikohet edhe “gafë”, “lajthitje” për shkak edhe të ngarkesës fizike e emotive të vetë Valbona Sakos. Pavarësisht se u eklipsua nga Rama, Basha, Meta e të tjerë “të rëndësishëm”, mjafton të bësh një kalim në rrjetet sociale të Sakos për të kuptuar se ka qenë mjaft e impenjuar pas termetit të 26 Nëntorit.

Ky vend pa parë e dëgjuar gafa edhe më të rënda, siç thotë populli, “edhe me qeder” për shumë qytetarë. Gafa që kanë nisur me fjalë, por kanë përfunduar edhe në ndikim në jetë njerëzish. Sado e rëndë të jetë gafa e Valbona Sakos, ajo nuk ka ndikuar në përkeqësimin e situatës. Sado i madh të ketë qenë gabimi në artikulimin publik i kryebashkiakes, jehona është shuar përballë lajmeve për ngjarjen e rëndë dhe daljeve të “rë rëndësishmëve”.

Dorëheqja si “rrufe në qiell” të pastër vështirë të besohet se është në emër të një standardi të ri të ri që Valbona Sako, po kërkon të vendosë me largimin e saj pas thjeshtë një “lapsusi frojdian”. Edhe gafe, po të doni ta klasifikoni kështu.

Për ata që e kujtojnë, pas termetit të 21 shtatorit të këtij viti, i cili dha një “paralajmërim” për atë që fatkeqësisht ndodhi rreth 2 muaj më pas, qeveria dhe kryeministri lanë disa detyra. Jo vetëm për rindërtimin, jo vetëm qasjen ndaj nevojave të personave që mbeten pa shtëpi, por edhe për verifikimin e ndërtimeve që rrezikonin në nga një termet i dytë. Ironia e fatit deshi që më pak se 24 orë para 26 Nëntorit, kryebashkiakja Sako ti kthehej me një postim pikërisht termetit të 21 shtatorit.

“Pasi kaluam me sukses fazën e parë të emergjencave nga pasojat e tërmetit të fortë të 21 shtatorit, kemi nisur nga puna për rindërtimin e shtëpive sikurse premtuam. ?. Sfida tani është që të bëjmë të lumtura të gjitha familjet që kanë shtëpi të pabanueshme me një banesë të re.??.Tërmetet nuk mund t’i kontrollojmë dot ne, por njerëzillëkun, solidaritetin e kemi vetë në dorë. Mezi pres që të urojmë sa më parë familjet e prekura për shtëpitë e reja.?‍?‍?‍?”, shkrunte Sako ne faqen e saj zyrtare në Facebook me 25 Nëntor 2019, ora 10.45, shoqëruar edhe me disa foto.

Nuk vonoi, dhe për fatin e keq të saj dhe për fatkeqësinë e humbjes së jetëve të 51 personave, ndodhi 26 Nëntori. Durrësi ishte qyteti më i shkatërruar. Nuk është çudi që kryebashkiakja të ketë marrë ndonjë “orientim” për dorëheqje sepse vetëndergjegjësimi deri në dorëheqje për shkak të mos verifikimit në terren pas termetit të 21 shtatorit, në shkelje edhe të asaj që i kërkoi qeveria e saj, është në kufijtë e të pabesueshmes për standardet e politikëbërjes shqiptare. Nga ana tjetër, nuk përbën sekret se Valbona Sako ka qenë një nga njerëzit më të rëndësishëm të administrimit të qytetit nga Vangjush Dako. Madje, për këtë arsye u kandidua edhe si pasuese e Gjushit me 30 qershor.

Mbase pesha e përgjegjësisë në vendimmarrje për lejimin e ndërtimeve që u thërrmuan si kështjella prej rëre nga termeti, shoqëruar edhe me pamundësinë e mbajtjes së një ngarkese të lartë fizike dhe emotive pas 26 Nëntorit, mund të kenë udhëzuar Sakon drejt një dorëheqje “në kohën e duhur”. Edhe pse në pamje të parë, në kushtet që po kalon Durrësi, mund të konsiderohet edhe braktisje e qytetarëve në momentin më të vështirë të tyre. Të paktën, atyre pak qytetarëve që e mbështetën me votë me 30 qershor.

E natyrisht të gjithë këto skenare apo skema të mundshme, janë në funksion të propagandës qeveritare. Por edhe si një argument tjetër që mbase mund të qëndrojë në tregun mediatiko- publik për disa kohë. A thua vazhdon edhe “mallkimi” i 30 qershorit, veç të tjerave?! /Shënim i ShkodraWeb/


Për t’u bërë pjesë e grupit të "ShkodraWeb Media" mjafton të klikoni JOIN GROUP dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHKODRAWEB MEDIA ONLINE: https://www.facebook.com/groups/shkodrawebportal