Tetë anëtarët e parë të SPAK-ut bënë të enjtën betimin para Presidentit të Republikës. Nga ky moment institucioni i shumëpritur u konsiderua i ngritur zyrtarisht. Në të njëjtën ditë tetë të betuarit zgjodhën mes tyre kryetarin, zotin Arben Kraja. Bashkë me dy prokurorë të tjerë, zoti Kraja mund të fillojë pa humbur kohë procedurën ligjore për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), instrumenti që përplotëson makinerinë e re sui generis të akuzës.
Zyrtarizimi i ngritjes së SPAK përbën ngjarjen më të rëndësishme në rrugën drejt startit të drejtësisë së re sipas ndryshimeve kushtetuese të verës së vitit 2016. Start i cili, siç e kemi pohuar disa herë në shkrimet e mëparshme, do të shënohet ditën kur prokurori i parë i SPAK do të paraqesë pretencën e parë para Gjykatës Speciale ende në ngritje.
Kjo nuk do të ndodhë sot për nesër, lipsen akoma javë dhe muaj, por procesi ka hyrë plotësisht në regjimin e vetërregullimit e vetëlëvizjes. Ndalim apo kthim prapa nuk ka.
Ambasdada e SHBA, ajo e BE-së, qeveria dhe opozita në Shqipëri e përshëndetën betimin e tetë anëtarëve të SPAK. Shumëkush është habitur, ka edhe që janë skandalizuar që politikanët e zyrtarët e lartë, mes tyre edhe ata që janë përpjekur ta pengojnë këtë ngjarje, i thanë mirëserdhe “mostrës” që do t’i kandisë. Prej këtu, në lehtësinë e dyshimit të tipit konspiracionist që ka prekur si një virus të menduarit e një numri të madh shqiptarësh, ku nuk e përjashtoj plotësisht as veten time, mori dhenë një opinion sikur politikanët dhe shtetarët e lartë të çdo krahu, subjekte të hetimit nga SPAK, ia kanë gjetur anën ta çojnë drejt kastrimit edhe institucionin e shpresës së fundit, siç kanë bërë me Prokurorinë e Kr.imeve të Rënda më parë dhe me nisma të tjera antikorrupsioin, që kanë nisur me fanfara dhe kanë rënë në moçal.
Kjo u pa edhe në sondazhet online të disa emisioneve televizive ku, ndryshe nga besimi plebishitar që i është dhënë para se të ngrihej, shumica e pjesëmarrësve mendonin se SPAK nuk do ta luftojë korrupsionin. Tani që u ngrit! Sondazhet online në media kanë një marzh të madh gabimi – kjo dihet. Gabimi mund të bëhet i stërmadh falë ndërhyrjeve dhe rregullimeve me dorë në funksion të manipulimit të njerëzve apo nxjerrjes së inateve dhe mllefeve të cakuara – edhe këto dihen.
Shto këtu faktin tjetër që disa njerëz mund të kenë patur për SPAK-un përfytyrime që u taksen rambove të huaj apo supermenëve dhe kur kanë parë aty njerëz të njohur që kanë punuar në sistemin e drejtësisë janë zhgënjyer. Mendimi që përshkon si fill nihilizmin e mosbesuesve është ai që u dëgjua të thuhet e u pa të shkruhet në disa media: Si mund ta luftojë SPAK korrupsionin kur ngritjen e tij e përshendetën të gjithë!
Sado qesharak të jetë ky arsyetim, askush nuk mund ta verë dorën në zjarr se një pjesë e politikanëve të sotëm të Shqipërisë nuk e kanë më mendjen dhe nuk e duan orientimin e SPAK drejt peshqve të mesëm e të vegjël apo edhe ndonjë të madhi sa për farë. Por përshendetja e ngritjes së tij nuk thotë asgjë në ketë aspekt dhe është një argument pa peshë për dyshimin e shëndoshë. Ata që përshëndetën e kanë votuar ngritjen e SPAK. Mospërshëndetja do të kishte qenë një anomali. Edhe po të mos e kishin votuar. Në këto gjeste ka kortezi dhe politesë institucionale. Drejtuesit vërtetë janë individë, por flasin në emër të partive dhe institucioneve që drejtojnë, pra edhe po të mendojnë apo ta dinë se SPAK do të shtrijë dorën në familjen e tyre politike, ata nuk mund të mos përshëndesin, nuk mund të duken sikur u djeg miza. Shto këtu edhe të mirënjohurën shprehje popullore “dora që nuk kafshohet puthet”, që shpjegon një tipologji të tërë sjelljesh politike. Nga ana tjetër, përshëndetja ka arsye të jetë edhe e sinqertë në disa vektorë të politikës.
Nëntekstet për hipokrizi apo politesë të sforcuar sa për sy e faqe i drejtohen opozitës. Për shumë kohë, një propagandë e tërë kryesisht qeveritare, e ushqyer edhe nga ekuivoket e vetë opozitës, është investuar për të ngulitur mendimin se opozita ka frikë nga kjo reformë. Ka tashmë disa muaj që PD ka dalë nga ky rrethim absurd në kuptimin që, po të jetë fjalë për frikë, qeveria e korrupsionit të shfrenuar, siç e ka cilësuar njëri prej raporteve të DASH, duhet të ketë në mos më shumë frikë, siç është e drejta e zotit, po aq frikë sa ish-qeveritarët e ish-zyrtarët e PD-së dhe LSI-së. Ky diskutim nuk ka fund dhe madje nuk vlen politikisht. Frika nuk ndërton alternativë.
Opozita e ka në favor ndëshkueshmërinë në sferat e larta. Opozita vetëm përfiton nga goditja e të korruptuarve dhe njerëzve brenda saj që kanë abuzuar me besimin e zgjedhësve. Pastrimi në këtë formë i krijon opozitës premisa të forta për të fituar zgjedhjet. Ndërkohë që qeveria vetë, humbet nga goditja dhe dënimi i zyrtarëve të saj. E gjithë kjo është në logjikën e alternancës së qeverisë. Në të vërtetë, kështu siç janë punët sot në Shqipëri, ndëshkueshmëria në sferat e larta, aq sa do të ishte një fitore e madhe e shtetit ligjor, po aq do t’i hapte rrugën rrotacionit të pushtetit në vend. Kjo është një arsye e fortë që mbështetja e ngritjes dhe fuksionimit të SPAK dhe të Gjykatës Specale nga PD është e duhet të jetë gjithnjë një akt i sinqertë.
Edhe po të ndodhë – që nuk ndodh – që qeveria t’i japë opozitës sinjale për mundësinë e mbajtjes nën kontroll të SPAK-ut në funksion të ruajtjes së ndërsjelltë nga goditjet, opozita duhet ta refuzojë këtë lloj “mirësie” ogurzezë. Unë them se, ndërsa nuk ka asgjë për t’u bërë merak në lidhje me përshëndetjet e ngritjes së SPAK, ka ndërkaq një gjë tjetër për t’u ndalur. SPAK u ngrit me tetë anëtarë, kur sipas Kushtetutës duheshin minimalisht dhjetë anëtarë. Kjo shkelje është justifikuar me nevojën për të mos humbur më kohë pas gjithë asaj që është humbur. Edhe unë kam qenë sistematikisht kundër vonesave. Numrat këtu nuk është se thonë diçka esenciale. Duhet të niste me dhjetë, mund të ishte parashikuar me tetë, nesër – pasnesër do të bëhen pesëmbëdhjetë. Problemi është tjetër. Grupi i pesëmbëdhjetë kadidatëve që u kualifikuan nga KLP për të qenë pjesë e SPAK sikur u nda në dysh në procesin e vetingut. Tetë që u betuan dje dhe shtatë që presin prej muash të vetohen. Koha midis vetingut të grupit të parë dhe vetingut të grupit të dytë ka krijuar një ndërpreje të madhe, dukshëm përtej afateteve që lidhen me mbajtjen normale të radhës.
Ky hendek krijon dyshime për një kalendar të menduar deri edhe politikisht me qëllim që grupit A t’i jepet avantazhi për të proceduar pa të tjerët në zgjedhjen e kryetarit të SPAK dhe ngritjes së BKH-së. Këto lojëra e manovra mund të bëhen me ndihmën e agjencive dhe institucioneve që furnizojnë më të dhëna organet e vetingut. Agjencitë dhe institucionet në fjalë janë të gjitha në vartësinë direkte apo indirekte të shumicës dhe qeverisë. Ato kanë mundësi të krijojnë diferencime të tilla të turpshme mes të kualifikuarve të barabartë për të qenë anëtarë të SPAK. Këtu mund të thellohej opozita me mjetet e saj për të parë çfarë po ndodh me shtatëshen e lënë padrejtësisht si në një listë pritjeje ndërkohe që SPAK starton në shkelje të Kushtetutës, sa i takon numrave. Partnerët amerikanë dhe europianë gjithshtu nuk mund të jenë indiferentë në këtë pikë.
Djalli fle në detaje. Ruga drejt ndëshkueshmërisë në sferat e larta është e mundimshme dhe gjithnjë nën kërcënimet e atyre që do të donin ta minonin. Në bindjen time lodhen kot dhe vetëm ekspozojnë veten në një dritë të keqe si armiq të shtetit ligjor, për të mos thënë si shërbëtorë të pasigurisë dhe destabilizmit të vendit. Me vetingun dhe me kërkesat e ashpra si për asnjë trupë tjetër zyrtarësh në historinë e Shqipërisë dhe ndoshta të botës, me pavarësinë dhe sigurinë që u jep ligji, më mbështetjen e fuqishme dhe të gjithanshme amerikane dhe europiane, me ndërgjegjen e një misioni nga më të lartët në shërbim të vendit, anëtarët e SPAK-ut dhe ata të BKH-së e humbin atë që mund të ketë qenë e të jetë background-i tyre politik, në kuptimin që nuk i kushtëzon për asgjë në punën e tyre në sferën ku do të veprojnë.
Ata do të punojnë nga afër me partnerët amerikanë. SHBA ia ka premtuar popullit shqiptar çlirimin e vendit nga pandëshkueshmëria në sferat e larta ku janë lidhur nyje gjithë të këqijat tona. Ata e konceptuan qysh në krye vetingun dhe SPAK-un. Ata e çuan dhe e çojnë përpara në kuadrin e strategjisë së tyre për të luftuar korrupsionin në vendet ish-komuniste duke e konsideruar atë si një mjet jetësor të ndikimit rus dhe si thelb të politikës së tyre të sigurisë. Për shumë arsye “kura” amerikane për Shqipërinë ka qenë më e fortë dhe suksesi i tyre do të jetë i madh. Kjo strategji mori jetë përgjatë administratës së Presidentit Obama.
Kundërshtarët e hapur apo të fshehtë të reformës kanë shpresuar e shpresojnë në tërheqjen dora – dorë të administratës së Presidentit Trump nga strategjia në fjalë. Në Shqipëri kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ka gjasa të ndodhë. Demokracia dhe siguria e Shqipërisë , sikurse e rajonit tonë, është lumturisht një interes strategjik amerikan. Që në këtë periudhë do të shërbehet nga drejtësia e re në prag. Dita e mirë duket qysh në mëngjes, thotë një fjalë e urtë e popullit. Çëshjet e para që do të çojë SPAK në gjykatë do të tregojnë shumë për rrugën e re. /Nga Preç ZOGAJ/