Ilir Meta sapo rikonfirmoi se “në 30 qershor ka zgjedhje imagjinare”. Madje, Presidenti i Republikës e ka konsideruar të gjithë atë që po konsumohet me shpejtësi drejt kësaj date, “si zgjedhje të organizuara nga një organizatë socialiste”, duke aluduar qartas për 4 antarët e mbetur të KQZ-së të emëruar si propozima të mazhorancës politike në këtë vend.
Megjithë “rrokupujën” ku është përfshirë klasa politike, institucionet kryesore të vendit, juristët e konstitucionalistët, askush nuk e ka kuptuar arsyen se pse “ligjvënësi” ia ka lënë ekskluzivitet Presidentit të Republikës dekretimin (rrjedhimisht edhe çdekretimin) e datës së zgjedhjeve.
Zanafilla e gjithçkaje duhet kërkuar në procesin e kushtetutë- bërjes, që kulmoi me dekretimin e saj nga Presidenti i Republikës Rexhep Meidani me 28 nëntor 1998. Ata që e mbajnë mend, pati në komisionin bipartizan me dy bashkëkryetarë: Sabri Godo nga e djathta dhe Arben Imami nga e majta e asaj kohe.
Në nenin 87 të Kushtetutës së vitit 1998, ligjvënësit kishin parashikuar detyrimisht zgjedhjen vetëm me konsensus të presidentit të Republikës. Dokumenti themeltar i shtetit parashikonte pesë votime dhe në të gjitha këto seanca, Kuvendi ishte i detyruar ta zgjidhte kreun e shtetit me tre të pestat e të gjithë antarëve. Nëse nuk arrihej, Kuvendi shpërndahej dhe parlamenti pasardhës duhej të zgjidhte kreun e ri të shtetit me vetëm 71 vota, ose gjysmën e të gjithë antarëve të tij.
Ndryshimet që iu bënë Kushtetutës në vitin 2008, shkatërruan mundësinë e një presidenti gjithherë konsensual. Sipas Ligjit Nr.9904, datë 21.4.2008, tashmë në votimin e katërt dhe të pestë në Kuvend, Presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë prej 71 votash, aq sa një minister.
Për tu kthyer tek nisja e arsyetimit tonë, Kushtetuta e 1998-ës i dha ekskluzivitetin Presidentit të Republikës për datën e zgjedhjeve sepse në çdo vendim të tij, përmes dekretit apo revokimit të dekretit (që është termi i saktë ligjor dhe jo çdekretimi), ka një vullnet politik mbi palët që buron pikërisht nga mënyra konsensuale e zgjedhjes së tij sipas Kushtetutës së vitit 1998. Me ndryshimet e 2008-ës, zgjedhja e tij bëhet me lehtësinë më të madhe, pa rrezikuar dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohëshme parlamentare nga një mazhorancë njëngjyrëshe në Kuvend.
Sipas Kushtetutës së 1998-ës, që nga zgjedhja parashikohej që Presidenti të ishte mbi palët sepse duheshin mbi 84 vota për ta zgjedhur. Duke qenë mbi palët, dekretimi i zgjedhjeve si ekskluzivitet i një kryetari shteti të tillë, kishte shumë pak mundësi të paragjykohej.
Siç duket, nga nxitimi për ndryshimet e Kushtetutës në 2008-ën, askush nuk është kujtuar për këtë kompetencë ekskluzive dhe të pagjykueshme nga askush, të Presidentit të Republikës, edhe pse ai zgjidhet nga një mazhorancë e thjeshtë njëngjyrëshe. Madje, në këndvështrimin e ekskluzivitetit, shpalljen e dates së zgjedhjeve nuk mund ta atakojë as Gjykata Kushtetuese. E thënë thjeshtë dhe troç, ka zgjedhje politike apo vendore në këtë vend, vetëm pasi del dekreti i Presidentit. Kjo, edhe për shkak të konfliktit të interest që ka Kuvendi në rastin e zgjedhjeve parlamentare apo edhe të konfliktit të partive politike në rastin e zgjedhjeve vendore.
Ky është konfigurimi aktual dhe asgjë nuk mund të bëhet përtej tij. E vetmja zgjidhje e mundshme e ngërçeve të sotme por edhe të nesërme të mundshme, është një ligj organik për Presidentin e Republikës ku të përcaktohen qartë kompetencat dhe veprimet, sidomos për të drejtën e kreut të shtetit për të çdekretuar ashtu siç dekreton.
E për ta mbyllur në terrenin shqiptar, Presidenti aktual është produkt i mazhorancës aktuale njëngjyrëshe. Madje me këmbënguljen e kryeministrit aktual, i cili mendonte se do “ta hiqte qafe”, duke i dobësuar edhe partinë që Meta drejtonte para zgjedhjes. /Shënim i ShkodraWeb/