“Pas datës 12 gusht, të gjithë kryebashkiakët e zgjedhur në 2015-ën janë të paligjshëm!”. Qëndrimi i mazhorancës politike të kryesuar nga Rama, nuk lë shteg për ekuivok. “Kryebashkiakët e votuar me 30 qershor janë të paligjshëm sepse dekreti i Presidentit bëri “nul” të gjithë procesin nga 10 qershori”. Ky është qëndrimi i vendosur i opozitës, duke paralajmëruar se kryebashkiakët e zgjedhur më 2015-ën, do të qendrojnë në detyrë edhe pas 12 gushtit, deri sa të zhvillohen zgjedhje bazuar në një dekret presidencial.
Duke u përpjekur të qëndrojmë në mes palëve, të dyja duket se po mbrojnë ligjshmërinë duke konsideruar në paligjshmëri kundërshtarin përballë. “Loja” u ngatërrua keq pas raportit paraprak të OSBE/ODIHR, sidomos në një pikë që nuk e konteston asnjëra palë politike: Vlefshmërinë apo kushtetushmërinë e dekretit të presidentit, e konstaton vetëm Gjykata Kushtetuese! Ajo që pritet të thotë fjalën e fundit, është një gjykatë që ka mëse 2 vjet që nuk ekziston por që pritet të ngrihet shumë shpejt, punë muajsh. Nëntë antarët e saj do të përzgjidhen tre nga Kuvendi, tre nga Presidenti dhe 3 nga rradhët e juristëve. Nëse ka vullnet, e gjithë kjo histori përzgjedhjeje, mund të mbyllet në ditët e para të shtatorit. Për 15 ditë, Gjykata Kushtetuese mund të shprehet me një vendim, të cilin palët kanë nënvizuar se do ta pranojnë dhe çdo gjë paqtohet.
Ndërkohë, palët politike kanë nisur betejën e karrikeve të kryebashkiakëve. “Të ikin të vjetrit dhe të vijnë të rinjtë” thotë njëra palë, ndërsa pala tjetër thotë “të rrinë aktualët deri sa të vlerësohet nëse “30 qershori” është i ligjshëm”. Tani të përpiqemi të bëjmë një arsyetim juridiko- politik të thjeshtë.
61 kryebashkiakët e zgjedhur në vitin 2015-të, janë legjitimë dhe të gjithëpranuar, me zgjedhje me konkurrencë, githpërfshirëse dhe të vlerësuara nga OSBE/ODIHR. Teorikisht, mandati i tyre përfundon me 12 gusht 2019, edhe pse ligji organik e përcakton se “rrinë në detyrë deri në betimin e pasardhësit”. Pra, ata mund të rrinë në “paligjshmëri” për dy- tre muaj por duke qenë fuqimisht të zgjedhur pa asnjë njollë e dyshim në 2015-n. Sigurisht, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, siç thamë më sipër.
61 kryebashkiakët e votuar me 30 qershor 2019, kanë dalë nga zgjedhje, në rastin më të mirë, pa konkurrencë, me probleme tashmë të evidentuara publikisht edhe nga OSBE/ODIHR dhe mbi të gjitha, me një dyshim thelbësor: A ishte legjitime data e zgjedhjeve pasi e çdekretoi presidenti Meta me 10 qershor 2019? E thënë ndryshe, nëse me 12 gusht këta kryebashkiakë do të hyjnë në zyra dhe Kushtetuesja do të konsiderojë “nul” 30 qershorin, paligjshmëria e tyre do të jetë më flagrante sepse ka të bëjë me zanafillën e një mandati dhe me kritere votimi të anatemuara nga shumë drejtime.
Në pamje të parë ngjan me një “rreth vicioz”, por ata që janë të stërvitur me arsyetime logjike- juridike por edhe politike, e bëjnë thjeshtë diferencën në mes dy rasteve. Nëse Gjykata Kushtetuese rrëzon “30 qershorin”, natyrisht do të bëhen zgjedhje të reja. Nëse ajo lë në fuqi këtë datë, kryebashkiakëve të “30 qershorit”, u nis mandati pas vendimit të Kushtetueses dhe do të konsumojnë ditë më ditë një mandat 4- vjeçar. Pra, askush nuk është i humbur dhe të gjithë janë të fituar në emër të ligjshmërisë.
E gjithë kjo skemë e mundshme për zgjidhjen e ngërçit, ka nevojë për një suport të fortë politik, marrëveshje qoftë edhe për këtë çeshtje jo pak të rëndësishme për demokracinë e brishtë të këtij vendi. E nëse kjo arrihet, koha ka treguar se për 24 orë gjenden të gjithë mekanizmat ligjorë për të tejkaluar ngërçin e krijuar. Edhe pa opozitën e vertetë brenda, Kuvendi mund të marrë çdo vendim, mund të ndryshojë përkohësisht me dispozitë kalimtare çdo ligj. Ose mjafton që, në rastin e vlefshmërisë së mandateve të kryebashkiakëve, të mos “lexohet” në “frymë germe” Kushtetuta por ligji organik “Për vetëqeverisjen vendore” dhe çdo gjë është e zgjidhur. Nëse nuk ka ndonjë skemë tjetër për “kalenda greke”, e gjithë kjo “mesele” zgjidhet ligjërisht brenda 3 muajve. Gjithmonë, nëse ka vullnet politik fillimisht…të tjerat e ndjekin nga pas! /Shënim i ShkodraWeb/