Prej më shumë se një viti, Shqipëria si i gjithë globi, janë përfshirë nga pandemia. Asgjë nuk është më si më parë. Stili i jetesës së përditshme, i konsoliduar prej qindra vitesh, është transformuar. Ajo që trumpetohet me të madhe (me të drejtë), eshtë distancomi social dhe higjiena personale. Edhe në raport me të afërmit apo miqtë, sidomos ata me moshë pak të kaluar apo patologji shendetësore.
E këtij “armiku të padukshëm”, i kanë shpallur luftë të gjithë. Ndër të parët në rang botëror, edhe Shqipëria e sidomos kryeministri i vendit Edi Rama. E ndërsa para disa muajve krenohej se jemi vendi që e kemi administruar mjaft mirë këtë “luftë”, tashmë po e ndërton fushatën mbi procesin e vaksinimit antiCovid, sasitë e vaksinave që mbërrijnë në vend (të gjitha të blera me paratë e taksapaguesve shqiptarë), rekordet ditore të vaksinimit etj.
Në fushatë elektorale, nuk mund të mungonte edhe përdorimi më i drejtpërdrejtë i “luftës” me “armikun e padukshëm”. Janë dhjetëra publikime në rrjete sociale, ku kryeministri paraqet takime e tubime, pritje mirëseardhje të rivalit të tij për postin e kryeministrit pas 25 prillit, Lulzim Basha. Ai anatemon pjesëmarrjen e madhe të qytetarëve, mungesën e respektimit të masava antiCovid, ndërsa nga ana tjetër, shfaq fotot e fushatës së tij. Karrike të sistemuara bukur, në pamje të parë në “distancë sigurie” rreth 2 metër, rigorozisht me maska etj.
Ajo që nuk lodhet të sqarojë direkt apo indirekt në postimet e tij pa fund kryeministri, është Arsyeja. Cila është Arsyeja që po i detyron shqiptarët të sfidojnë pandeminë dhe të tubohen rrotull kandidatit për kryeministër Lulzim Basha? Pse po e sfidojnë haptas atë që po cilësohet edhe si “murtaja e shekullit të 21- të”? Cila është ajo forcë që po i shtyn shqiptarët të sfidojnë përkeqësimin e shëndetit, qoftë larg, edhe vetë vdekjen?
Sigurisht, këto pyetje e kanë përgjigjen dhe vetë kryeministri i vendit e di. Nuk guxon ta pranojë, por është ai që i shtyn shqiptarët të rrezikojnë kaq shumë. Është situata e rëndë ekonomike dhe jo vetëm që ai ka krijuar përgjatë 8 viteve dhe e cila sigurisht, nuk u përkeqësua menjëherë me tërmetin e 26 nëntorit 2019 apo me pandeminë 1- vjeçare. Shqiptarët janë trima por më shumë të mençur. Halli është shumë i madh, përderisa marrin në sy rrezikun për të përfunduar të intubuar në ndonjë spital apo më keq akoma, 2 metër nën tokë dhe i papërcjellë dot nga familjarë e miq.
Edhe kjo “loja” me “i organizon vetë PD- ja” tubimet apo mitingjet, nuk pi më ujë. Sepse nuk ka asnjë indikacion për përkatësinë e pjesëmarrjes në takimet e Bashës, nëse janë demokratë, socialistë apo të paangazhuar. Po ashtu, nuk ka asnjë indikacion që të jesh demokrat ke më shumë imunitet apo je më pak i mençur e trim se të jesh socialist.
Edi Rama duhet të gjejë guximin dhe tu shpjegojë shqiptarëve, në rrjete sociale apo edhe studio televizive, se pse shqiptarët po vënë në rrezik jetën e tyre, të të afërmëve të tyre duke mosrespektuar sa dhe si duhet masat e sigurisë. Edi Rama duhet të tregojë edhe pse shifrat e pandemisë shënojnë rënie drastike në fushatë elektorale, kur kanë kaluar 3 javë nga fushata e pasojat e tubimeve në mësrespektim të masave antiCovid, duhet të ishin shfaqur në krye të dy javëve. Edi Rama duhet të bëjë transparencë për shqiptarët se pse policia e tij, nuk po vendos më gjoba për mosrespektim të masave antiCovid në masë nga bashkëqytetarët e tij.
Duket e çuditshme, e pabesueshme, por vetë Edi Rama, kryeministër i këtij vendi, po i nxit shqiptarët të dalin e të kërkojnë shpresë në tubimet e opozitës. Me kosto të lartë, duke rrezikuar edhe jetën, por e shohin se nuk ka zgjidhje tjetër. Nga pandemia, kushtet ekonomike, emigracioni, është thjeshtë çështje kohe shtrimi në spital, në çmendinë apo edhe më keq akoma… “Më mirë një fund i tmerrshëm se një tmerr pa fund”, pëlqente të përsëriste dikur kryeministri i i këtij vendi. Kur ishte në opozitë… /Nga Sokol N. SOKOLI/