Në orët e mbrëmjes të së premtes, është shpërndarë për mediat një njoftim për konstituimin e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, dalë nga votimet e 30 qershorit. Është një shkresë e prefektit të Qarkut Shkodër Çesk Millja, e cila i referohet dy neneve të ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, pikërisht neneve 48 dhe 60.
Neni 48 përcakton afatet dhe autoritetet që thërrasin mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak.
Kështu, në pikën 1 përcaktohet qartë “Këshilli bashkiak zhvillon mbledhjen e tij të parë jo më vonë se 20 ditë nga data e shpalljes së rezultatit nga organi kompetent, i përcaktuar në Kodin Zgjedhor”. Siç dihet, për mungesë kuorumi në KQZ, shpërndarja e mandateve për këshillat bashkiakë përfundoi në Kolegjin Zgjedhor.
Me datë 26 korrik 2019, ky institucion përfundoi shpërndarjen e mandateve për të gjitha këshillat bashkiakë në vend. Me një përllogaritje të thjeshtë, nga data 26 korrik deri me 19 gusht, janë më shumë se 20 ditë të kaluara. Kjo është shkelja e parë e ligjit nga prefekti i Qarkut Shkodër.
Neni 48, në pikën 2 të tij e përcakton se “Mbledhja e parë e këshillit thirret nga sekretari i këshillit bashkiak. Në mungesë të tij, nismën për thirrjen e mbledhjes së parë e merr prefekti”. Qartas prefekti Millja ka thirrur një mbledhje të pabazuar në ligjin funksional të qeverisjes vendore.
Sipas nenit 48, pika 3 “Në rast se asnjë nga subjektet e sipërpërmendura nuk e ushtron këtë të drejtë, brenda afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni, atëherë këshilli mblidhet vetë brenda 10 ditëve.”. Pra, sipas këtij neni, ka mbetur që konstituimi të thirret nga vetë këshilli. Madje, nga data 19 gusht 2019, mbeten vetëm 6 ditë për të ushtruar këtë të drejtë. Pas këtij afati, këshilli bashkiak nuk mund të konstituohet më.
I njëjti nen i ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, përcakton edhe atë që ndodh në mbledhjen e parë të këshillit bashkiak. Në pikën 6 të nenit 48, përcaktohet agjenda e mbledhjes së konstituimit si më poshtë:
“Në mbledhjen e parë të këshillit bashkiak:
a) zgjidhet komisioni i mandateve;
b) miratohen mandatet e anëtarëve të këshillit;
c) këshilltarët bëjnë betimin;
ç) zgjidhen kryetari dhe zëvendëskryetarët e këshillit;
d) zgjidhen anëtarët që do të përfaqësojnë këshillin bashkiak në këshillin e qarkut dhe pajisen me mandatin e përfaqësimit.”.
Përtej kësaj agjende, çdo pikë tjetër është antiligjore dhe e kthen konstituimin automatikisht në të pavlefshëm. Kjo është shkelja e dytë ligjore e prefektit të Qarkut Çesk Millja.
Po neni 60 i ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” i cituar në njoftimin e tij nga Millja, çfarë përcakton? Ky nen, i plotë, përcakton si më poshtë:
“Mandati i kryetarit të bashkisë vërtetohet nga gjykata e rrethit gjyqësor, (dhoma civile) në juridiksionin e së cilës përfshihet bashkia përkatëse, brenda 20 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjes së tij.
Deklarimi i pavlefshmërisë së mandatit të kryetarit bëhet kur vërehet se nuk plotësohen kushtet, sipas nenit 45 të Kushtetutës dhe dispozitave përkatëse të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.
Shpallja e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të bashkisë bëhet në mbledhjen më të parë të këshillit bashkiak përkatës, ku kryetari bën betimin, sipas formulës së përcaktuar në nenin 50, të këtij ligji, dhe e nënshkruan atë.
Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës.
Në rast se këshilli bashkiak nuk mblidhet brenda 30 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, prefekti organizon ceremoninë e betimit të kryetarit të bashkisë në mjedisin e bashkisë dhe në praninë e banorëve të njësisë përkatëse.”.
Bashkia e Shkodrës është në një situatë të paprecedent. Për telashet e tij me drejtësinë, kandidati që duhej të bënte betimin si kryebashkiak, ka dhënë dorëheqjen. Një fakt i njohur ky botërisht dhe sipas gjasave, duhet të jetë depozituar me shkresë edhe në KQZ nga i dorëhequri. Duke ditur këtë fakt, prefekti Millja nuk duhej ta citonte fare këtë nen në njoftimin e tij për mbledhjen e parë të këshillit bashkiak. Megjithatë, si një “ushtar i bindur” i PS-së (pavarësisht se dikur mbante grada të larta ushtarake), ai e ka përfshirë.
Pika e parë e këtij neni, “Mandati i kryetarit të bashkisë vërtetohet nga gjykata e rrethit gjyqësor, (dhoma civile) në juridiksionin e së cilës përfshihet bashkia përkatëse, brenda 20 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjes së tij.”, është ezauruar tashmë.
Pika e dytë “Deklarimi i pavlefshmërisë së mandatit të kryetarit bëhet kur vërehet se nuk plotësohen kushtet, sipas nenit 45 të Kushtetutës dhe dispozitave përkatëse të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”, lidhet me procesin e vertetimit të mandatit nga gjykata e rrethit gjyqësor. Madje, në ankimimet e kryetarëve ne detyrë përballë atyre që kërkonin vertetimin e mandateve në gjykata, pikërisht kjo pikë e nenit 60 është paraqitur si bazë ligjore për ankimimin.
Pika e tretë e këtij neni “Shpallja e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të bashkisë bëhet në mbledhjen më të parë të këshillit bashkiak përkatës, ku kryetari bën betimin, sipas formulës së përcaktuar në nenin 50, të këtij ligji, dhe e nënshkruan atë.”, në rastin e Bashkisë së Shkodrës nuk ka asnjë mundësi të vihet në zbatim sepse nuk do të ketë një kryetar që bën betimin në mbledhjen e konstituimit.
Pika 4 “Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës.”, siguron vazhdimësinë e funksionit, edhe në rastin e paprecedentë të Shkodrës kur kryetari jep dorëheqje pa bërë betimin.
Pika 5 “Në rast se këshilli bashkiak nuk mblidhet brenda 30 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, prefekti organizon ceremoninë e betimit të kryetarit të bashkisë në mjedisin e bashkisë dhe në praninë e banorëve të njësisë përkatëse.”, përcakton se kryetari mund të betohet edhe pa u mbledhur këshilli bashkiak në konstituim, duke përcaktuar se Kryetari e Këshilli Bashkiak, janë dy organe që nuk kushtëzojnë dot njëri- tjetrin.
Nga ana tjeter, ligji 107/2016 “Për prefektin”, në nenin 15 përcakton qartë se:
“Ndërmjet prefektit të qarkut dhe organeve të vetëqeverisjes vendore nuk ka marrëdhënie varësie.
Marrëdhëniet ndërmjet prefektit të qarkut dhe organeve të vetëqeverisjes vendore bazohen në parimin e konsultimit dhe të bashkëpunimit për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta.
Marrëdhëniet midis prefektit të qarkut dhe organeve të vetëqeverisjes vendore përcaktohen në këtë ligj dhe në ligjin për vetëqeverisjen vendore.”.
Natyrisht, si “zgjatim” i një pushteti tjetër në territor, ligjvënësi ka garantuar pengimin e përfshirjes së prefektit në kompetencat e qeverisjes vendore. Prefekti ka vetëm kompetencën e shqyrtimit të ligjshmërisë së akteve të nxjerra nga qeverisja vendore, qoftë kryetari i bashkisë apo edhe këshilli bashkiak.
Të njëjtën frymë, përcakton ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” në marrëdhënien kryetar- këshill bashkiak. Ky i fundit, sipas nenin 54 të ligjit, mund të ushtrojë vetëm këto kompetenca:
“Këshilli bashkiak ka këto detyra dhe kompetenca: a) zgjedh nga përbërja e vet komisionet e këshillit dhe miraton rregulloren e brendshme të funksionimit të vet;
b) zgjedh, duke respektuar ligjin për barazinë gjinore, kryetarin dhe zëvendëskryetarët e këshillit dhe i shkarkon ata;
c) emëron dhe shkarkon sekretarin e këshillit bashkiak;
ç) miraton nivelin e pagave e të shpërblimeve të punonjësve e të personave të tjerë, të zgjedhur ose të emëruar, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
d) miraton aktet e themelimit të ndërmarrjeve, shoqërive tregtare, si dhe të personave të tjerë juridikë që krijon vetë ose me të cilët është bashkëthemelues;
dh) miraton buxhetin dhe ndryshimet e tij. Në vendimin për miratimin e buxhetit miraton, gjithashtu, edhe numrin e maksimal të punonjësve të bashkisë, si dhe të njësive e institucioneve buxhetore në varësi të bashkisë;
e) miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve;
ë) organizon dhe mbikëqyr kontrollin e brendshëm të bashkisë;
f) vendos për taksat e tarifat vendore, sipas këtij ligji dhe legjislacionit tjetër në fuqi;
g) vendos për marrjen e kredive dhe shlyerjen e detyrimeve ndaj të tretëve;
gj) vendos për krijimin e institucioneve të përbashkëta me njësi të tjera të vetëqeverisjes vendore, përfshirë subjektin e kompetencave të përbashkëta ose me persona të tretë;
h) vendos për fillimin e procedurave gjyqësore për çështje të kompetencës së vet;
i) zgjedh përfaqësuesit e këshillit bashkiak në këshillin e qarkut, të cilët, në jo më pak se 50 për qind të tyre, duhet t’i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar;
j) vendos për dhënien ose deklarimin e mbarimit të mandatit të këshilltarit, kur ekzistojnë kushtet e parashikuara në nenin 49 të këtij ligji;
k) miraton norma, standarde e kritere për rregullimin dhe disiplinimin e funksioneve që i janë dhënë atij me ligj, si dhe për mbrojtjen e garantimin e interesit publik;
l) vendos për simbolet e bashkisë;
ll) vendos për emërtimin e rrugëve, shesheve, territoreve, institucioneve dhe objekteve në juridiksionin e bashkisë;
m) jep tituj nderi dhe stimuj;
n) vendos për rregullat, procedurat dhe mënyrat e realizimit të funksioneve të deleguara, në bazë dhe për zbatim të ligjit, me të cilin bëhet ky delegim te bashkia.”.
Është e qartë si drita e diellit se këshilli bashkiak, nuk ka asnjë kompetencë për të shqyrtuar vlefshmërinë e mandatit të kryetarit të bashkisë.
Këtu historia ligjore e çeshtjes mbyllet dhe pamundëson realizimin e “një ëndrre vere” që prefekti i qarkut Çesk Millja, i rikthyer në detyrë pas “muajit të mjaltit” kur i liroi karriken kryetarit të 30 qershorit të dorëhequr pa marrë detyrën, nuk ka asnjë mundësi të realizohet. Vetëm nëse prefekti ka marrë përsipër “ti thotë burgut hapu”. Me këto shkelje ligjore, kapërcim e marrje kompetencash të organeve të tjera deri në shpërdorim detyre, shkeljen e afateve ligjore për thirrjen e konstituimit të këshillit bashkiak, çdo gjykatë e ka të lehtë fare të rrëzojë jo vetëm vendimet e marra në mbledhjen e 19 gushtit por edhe vetë procesin e konstituimit të këshillit bashkiak Shkodër, i thirrur nga prefekti i Qarkut Shkodër. /Shënim i ShkodraWeb/