Audio- përgjimet e fundit të publikuara nga “Bild” kanë krijuar një kauzë edhe për atë që quhet rëndom si “opozita e re” në Kuvend por edhe jashtë saj. Lefter Maliqi, një ish- zyrtar i lartë i kësaj mazhorance si i emëruar, i kthyer në deputetë nga lista e PD-së pas dorëzimit të mandateve, ka folur shkoqur: Presidenti të shpërndajë parlamentin!
Thirrja merr një bazë më të fortë morale pikërisht pas publikimit nga tabloidi më i madh në Europë i audio- përgjimeve të dosjes së famshme ndërkombëtarisht “339”.
Prokuroria e pranoi zyrtarisht se audio- përgjimet ekzistojnë dhe janë të vërteta. Të paktën ajo që dëgjohet me audio ndërsa një kryebashkiak aktual i Shijakut, live në televizion pranoi se ka biseduar me të famshmin Avdylaj në celular, por nuk ka marrë pjesë në takimin për të cilin, në të njëjtën bisedë, u tregua i gatshëm të ishte i pranishëm.
“Opozita e re” mbase mund të ketë shpresë se Ndërkombëtarët mund të japin një dorë që të kthehet legjitimteti i zgjedhjeve në këtë vend. Në fakt, mfajton vetëm një deklaratë e kryeministri Rama, për të kuptuar pozicionimin e tyre në raport me Tiranën zyrtare. Shefi i qeverisë mori atributet e SHBA-së dhe BE-së teksa më shumë se një herë ka folur në emër të tyre, duke paralajmëruar cenuesit e mundshëm të procesit zgjedhor të 30 qershorit: Do ti vihet vizë e kuqe për të lëvizur në BE dhe SHBA të gjithë atyre që fusin duart në zgjedhje!
Deklaratë e fortë, ku Rama flet si kancelar i SHBA-së dhe BE-së njëkohësisht dhe anjë seli diplomatike nuk u thotë një fjalë. Sepse është e qartë si drita e diellit se asnjë ambasadë përendimoere nuk ka dhe nuk ka si të tekë një kriter të tillë, që çdokush që merr pjesë në cenimin e zgjedhjeve, nuk do të shklasë në vendet e tyre! Sepse pikë së pari, në dritën e dosjes “339” i pari që do penalizohej do të ishte vetë kryeministri, disa ministra dhe një ushtri qindra njerëzish të provuar me prova ligjore si cenues të pocesit zgjedhor jo vetëm në Durrës.
Kjo parantezë për të treguar se zgjidhja e ngërçit aktual do të vijë vetëm nga brenda Shqipërisë. Këtë duhet ta kuptojnë mirë të gjithë e sidomos “opozita e re”.
Duket paradoksale, por ky grupim politik brenda e jashtë parlamentit, kanë një mundësi të artë për të mbetur në histori. Më shumë se një herë, pasi opozita reale dorëzoi mandatet në bllok, kryeministri dhe eksponentë të mazhorancës e kanë konsideruar situatën normale sepse kanë përballë në Kuvend dhe jashtë tij, “opozitën e re”. Është e qartë se ky grupim politik, është “tulla” e fundit që mban në këmbë këtë mazhorancë. E nëse hiqet edhe kjo “tullë”, parlamenti bie brenda një kohe të shkurtër.
Si mund të hiqet kjo “tullë” e fundit? Fillimisht, deputetët e “opozitës së re” duhet të bien në paqe me veten: Mund të rrezikojnë karrierën e tyre politike por…edhe mund të rivlerësohen brenda grupimeve respektive politike. “Opozita e re” jashtë Kuvendit, duhet të jetë e ndërgjegjëshme se fasadën që i kanë krijuar zgjedhjeve të 30 qershorit, duhet t’ia heqin me koston e pritjes së zgjedhjeve të tjera, reale, ku vertetë maten forcat me “opozitën e vjetër” në garë e në krah.
Alternativa e parë ideale, do të ishte dorëzimi në bllok i mandateve të deputetëve nga listat e PD-së dhe LSI-së aktualisht në Kuvend dhe tërheqja në bllok nga gara e “Bindjes Demokratike” të Patozit në të gjitha bashkitë ku kandidojnë me 30 qershor.
Alternativa e dytë do të ishte bojkoti pa afat i Kuvendit nga deputetët e “opozitës së re”, bashkimi me protestën e “opozitës së vjetër” para Kryeministrisë, duke nisur nga 8 qershori.
Të dy këto alternativa, praktikisht do të vinin në lëvizje edhe presidentin e Republikës. Sidomos, në kushtet e dorëzimit në bllok të mandateve nga “opozita e re”. 75 apo 80 deputetë nga 140 që duhet të ketë me Kushtetutë Kuvendi, do ti jepnin të drejtën morale e ligjore kreut të shtetit për të shpërndarë parlamentin. Në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese dhe kur nuk ka një vullnet për tu konsultuar me Komisionin e Venecias, edhe Presidenti i Republikës mund të bëjë interpretim të Kushtetutës për numrin e deputetëve që duhet të ketë parlamenti që të jetë ilegjitim, në kushte kur opozita- rrjedhimisht edhe një pjesë e qytetarëve, nuk janë të përfaqësuar. Natyrisht, mund të bëjë edhe konsulta me konstitucionalistë të njohur vendas që nuk mungojnë. /Shënim i ShkodraWeb/