Prej disa ditësh është hapur në Shipëri një diskutim mbi sigurinë e veprave publike të infrastrukturës por jo vetëm. Shkak është bërë një tragjedi në vendin fqinj, Itali ku shembja e një ure ks shkaktuar deri tani 41 viktima ndërsa disa të tjerë konsiderohen akoma të zhdukur.
Siç komentojnë mediat italiane, ishte një “tragjedi e paralajmëruar”, teksa që në vitin 2016 ttë paktën, ishte diskutuar ndërhyrja për mirëmbajtje apo ndërtimi i një aksi tjetër që do të lehtësonte trafikun mbi urën që u shemb si një ndërtesë kartoni. Madje, edhe në këtë rast, fajtore direkt me veprime ose mosveprime është politika. Ka disa video që tregojnë Beppe Grillo- ish- lideri i “5 yje” që shprehej kundër harxhimit të 4-5 miliardë euro që sipas gjasave do të kishin shmangur tragjedinë e rëndë.
Në Shqipëri, situata duket të mës jetë aspak më e mirë. Të paktën në vetëm dy vepra, siç janë “Rruga e Kombit” dhe rruga Tiranë- Elbasan, shenjat e para janë dhënë. Pavarësisht se këto vepra kanë patur një shirit të prerë, disa herë janë mbyllur për të bërë punime mirëmbajtje. Ndërkohë, mediat kan publikuar shpesh skena të tmerrshme të shëmbjes së rrugës apo tuneleve përgjatë tyre. E të mendosh se akoma nuk kanë kaluar dekadën nga përurimi.
Për të kuptuar diferencën në mes punëve publike në Shqipëri dhe atyre në Itali, mjafton një anektodë, e cila sot thuajse është zhdukur. Dy bisnesmenë, një shqiptar dhe një italian takohen në Itali, në një zonë malore. Pasi futen në muhabet, italiani i thotë shqiptarit: Eja të të tregoj si punoj unë që të “mësosh” pak edhe ti. I hipin makinës dhe ngjiten një një mal. Diku afër një qendre të banuar, ndalen. Një rrugë e gjatë, me dy korsi, me vendpedalim bicikletash, me sinjalistikë vertikale e horizontale. Italiani e pyet: Hë. Si të duket? Shqiptari i mahnitur i përgjigjet: Mrekulli! Po ajo atje, si të duket, e pyet italiani duke i treguar një vilë 3 katëshë, mes gjelbërimit dhe e shmangur nga të tjerat. Shqiptari shtanget dhe nuk thotë asgjë tjetër: Mrekulli! Italiani qesh dhe i përgjigjet: Rruga “polli” vilën, ngushtova me nga 10 cm në dy anët rrugën dhe…voila, doli vila.
Pas rreth një viti italiani i kthen vizitën bisnesmenit shqiptar, i cili kishte fituar një tender për një rrugë të ngjashme malore në Shqipëri. I hipin bashkë makinës dhe i ngjiten malit, pas disa kilometrave ndalohen. Shqiptari pyet italianin: Hë si të duket rruga? Italiani zgurdullon sytë. Një rrugë e shtruar me çakull, e shtypur nga ruli. Nuk ka asnjë përgjigje. Sepse nuk po shikonte asnjë rrugë. Shqiptari buzëqesh dhe dhe e pyet: Po ajo ndërtesa atje? Italiani ngre kokën dhe shikon një ndërtesë të madhe dhe mbi të një tabelë ku shkruhej hotel. Në mes të pyllit, me parking të bollshëm. “As në Itali nuk ka hotele të tilla”, thotë shkurt ai. E shqiptari ia pret: Kjo rruga “polli” atë hotelin. Dhe qeshi me të madhe.
Mbase barcaletë siç i themi në Shkodër, por moralin e përcjell fuqishëm. Italia është vend i BE-së, madje themelues. Natyrisht, edhe mafia është më e zhvilluar se në Shqipëri. Edhe ajo e ndërtimeve. Por këto 30 vite, si në shumë fenomene të tjera negative, edhe tek “mafia e ndërtimeve” kemi bërë “hapa gjigantë” drejt “standarteve” të Italisë për shembull. E po flasim për një vend si Shqipëria, ku çdo gjë, çdokush e ka një çmim. Që nga maja më e lartë e piramidës së shtetit, drejtëesisë dhe deri tek supervizori më i thjeshtë… Deri tani, Zoti na ka dashur shumë. Urojmë që kjo dashuri të vazhdojë, gjatë. /Nga Blerti DELIJA/