Vetëdorëzimi apo ndalimi i Klement Balilit ditën e sotme, nuk mund të quhet veçse një lajm i mirë. Për shqiptarët, por edhe për imazhin e vendit tonë tek ndërkombëtarët. I konsideruar si “Eskobari i Ballkanit”, Balili është shfaqur sot në Drejtorinë e Policisë në Tiranë ku edhe është prangosur si i shumë kërkuar prej muajsh nga drejtësia.
I pari që dha lajmi e vetëdorëzimit ishte ish- kryeministri Berisha, i cili përdori si gjithmonë “qytetarin dixhital” për të publikuar informacione të cilat ai i disponon edhe nga burime zyrtare. Në vijim, ishin avokatët e Balilit që konfirmuan vetëdorëzimin, ndërsa ministri Lleshaj, kryeministri Rama e presidenti Meta përshendetën kapjen e atij që konsiderohet si “bosi” i drogës në Ballkan.
Kryeministri Rama u përpoq menjëherë ta konsiderojë si sukses të ministrit të brendshëm, Policisë së Shtetit dhe SHISH. Presidenti Meta falënderoi publikisht edhe partnerët ndërkombëtarë. Nga ana tjetër, shefi i qeverisë u kujdes të tregojë se vetëdorëzimi ishte rezultat i një pune disa mujore, një operacioni të sofistikuar policor- vetëdorëzimi ishte thjesht realizimi i tij me sukses.
Deri këtu, jemi tek pjesa e dukshme e ngjarjes. Natyrisht, koencidenca e vetëdorëzimit të Klement Balilit me momentin kur “lufta e ftohtë” president- kryeministër është në kulm, mund të jetë thjesht rastësi. Por nuk mund të dalë jashtë kontekstit të kësaj ngjarje as vetë “personazhi” i shumëpërfolur me lidhje me politikën Klement Balili.
Teksa shpërtheu “skandali Balili” në vend para shumë muajve, palët politike u përpoqën të distancohen dhe të fajësojnë rivalët. Për hir të realietetit, “loja” luhej me vetëm dy porta: LSI dhe PS. Reciprokisht, kërkonin që Balilin “ta parkonin” në portat respektive, edhe pse emërimi si drejtor rajonal i tij, ishte bërë në kohën e bashkëqeverisjes Rama- Meta në mandatin politik 2013- 2017.
Vetëdorëzimi i beftë i Balilit, në momentin e tanishëm, mund të aludohet edhe si përfshirje e lëtij aseti në “luftën e ftohtë” Meta- Rama. Në momentin kur presidenti është mjaft “agresiv” ndaj kryeministrit dhe ky i fundit, nuk po e kursen me akuza individin që e ngjiti me votat e tij në krye të shtetit, nuk përjashtohet apriori përdorimi i Balilit në formën e presionit. Sidomos të kryeministrit ndaj presidentit, ish- kryetar i LSI-së.
Deri tani jemi në fushën e hamendësimeve apo aludimeve. Por nuk do të vonojë shfaqja në publik e indicieve. Mjafton të dish ti lexosh. /Shënim i ShkodraWeb/