Këshilli Bashkiak i Shkodrës nuk ka pranuar të rishqyrtojë vendimin e tij nr. 79, datë 4.12.2018, pasi është kthyer nga prefekti i Qarkut Shkodër Çesk Millja. Në rendin e ditës, kjo pikë ishte e pesta dhe bashkë me të tjerat, kryetari Xhemal Bushati ka ftuar këshilltarët ta votojnë. Ka qenë kryetari i grupit të Këshilltarëve të PD-së Bujar Hoti, i cili ka kërkuar që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës. Sipas arsyetimit të Hotit, prefekti Millja e ka kthyer për rishqyrtim vendimin e Këshillit Bashkiak të Shkodrës jashtë afatit ligjor, në shkelje të ligjit për qeverisjen vendore.
Pas ndërhyrjes së këshilltarit Hoti, kryetari Bushati ka ftuar këshilltarët të votojnë, duke nxjerrë kështu jashtë rendit të ditës kërkesën për rishqyrtim të VKB-së, e ardhur nga prefekti i qarkut Shkodër Çesk Millja. Pika e pestë e rendit të ditës, e rrëzuar me votim nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës ishte. “Pr/ Vendim: “Për rishqyrtim të VKB nr. 79, datë 4.12.2018 “Për disa ndryshime në VKB nr. 1, datë 22.1.2016 “Për taksat dhe tarifat vendore në bashkinë Shkodër“, të ndryshuar .”.