Sokol Olldashin nuk e ka njohur nga afër. Vetëm një herë e kam patur të ftuar përballë në një nga emisionet e mija. Në hapësirën publicitare mes dy pjesëve, ai dhe unë dolëm jashtë studios për një cigare. “Sa zgjat zakonisht publiciteti”, pë pyeti. “3-4 minuta, jo më shumë”, i përgjigja. “A mund ta shtyjmë sa të pijmë këto cigare”, më tha. Ky mund të quhet dialogu privat. Pjesa tjetër është një bisedë lidhur me tematikën e emisionit. Por Olldashin e kam njohur më shumë përmes miqve të tij, të cilët nuk kanë munguar as në Shkodër. E kam njohur edhe pasi iku nga kjo botë, si sot 5 vjet më parë. Iku në rrethana të paqarta, sipas gjasave në një ngjarje që asnjëherë nuk u zbardh plotësisht e vertetësisht, të paktën për publikun. Në rastin më të mirë, është një vdekje aksidentale e mistershme. Sigurisht edhe e papritur. Sokolin e kujtojnë çdo vit, të paktën disa miq të tij të afërt. Edhe pse duhet thënë, çdo përvjetor janë më të paktë.
Olldashi ishte produkt i politikës, por duke u nisur nga gazetaria. Bëri “gavetën” e duhur, për tu ngjitur në majat më të larta të shtetit. Si Gramoz Ruçi, mund të them. Sepse në 5 vjetorin e vdekjes së Olldashit, Ruçi i socialistëve është në Vatikan, vetëm pak metra larg Papa Françeskut. Jete e bashkë me të historia, jo rradhë është e padrejtë. Sot Ruçi ishte si numri 2 i shtetit shqiptar. Madje në një moment, fryma e Papës dhe e tij janë përplasur. Politika është e padrejtë, mbase e pamëshirshme. Olldashi pinjoll i një familjeje ish- kastë, por që provoi kalvarin e persekucionit komunist. Ruçi ministri i fundit komunist në 1991 dhe sot, pas 27 viteve përballë Papës si një shtetar i vendit tonë.
Sot KQZ nisi punën zyrtarisht për zgjedhjet e rradhës, ato të 30 qershorit për qeverisjen vendore. Shqiptarët pritet të votojnë. Edhe pas 28 viteve, alternativat ndryshojmë pak. Mes tyre, edhe Gramoz Ruçi. Natyrisht, nuk do të kandidojë për kryebashkiak në asnjë qytet. Olldashi e provoi në 2007-ën përballë Ramës në Tiranë dhe humbi. Sot mbase mund të ishte një rival i denjë i Velisë për Tiranën. Gjithmonë nëse nuk do të ishte rreshtuar në anën “e gabuar”. Por sot këtë nuk mund ta thotë askush, se ku do ishte rreshtuar Olldashi. Pak para vdekjes shumë të parakohëshme, ai ishte përballë Bashës në një garë që ishte totalisht e pabarabartë. Duke njohur natyrën e tij, ai do të ishte përsëri kandidat. Në parti ose në bashki.
Shqiptarët do të votojnë. Koha ka treguar se nuk ka rëndësi se për kë. “Pilafin” e bën tjera kush. Siç ka ndodhur deri më sot, ashtu do të vazhdojë. E si gjithmonë pas zgjedhjeve, fituesit do të jenë shumë të kënaqur. Humbësit do të kontestojnë. Këtë herë akuzat kundërakuzat priten të jenë të ngjashme si dy pika uji me to të 2017-ës. Sepse janë të njëjtat “rregulla loje”, i njëjti kod zgjedhor. Sepse kjo është Shqipëria jonë… /Nga Blerti DELIJA/