Gjatë muajve Gusht-Shtator, numri i shqiptarëve të cilët kanë kërkuar azil në Holandë është i njëjtë me të gjithë vitin e kaluar. Të dhënat e Zyrës së Statistikave në Holandë flasin kështu për një tendencë të re të shqiptarëve, të cilët gjatë muajve të fundit janë dyndur në Holandë.
Gjatë tremujorit të tretë të vitit, numri i shqiptarëve azilkërkues në Holandë është pesëfishuar në krahasim me tremujorin paraardhës tregojnë të dhënat zyrtare. Kështu, vetëm gjatë tremujorit të dytë, në Holandë kanë aplikuar për herë të parë për azil 345 shqiptarë, nga 70 të tillë gjatë tremujorit paraardhës.
Muaji shtator mban rekordin, me rreth 200 shqiptarë. Të dhënat bëhen edhe më alarmante po të kemi parasysh faktin se, thuajse gjysma e azilkërkuesve janë nën 18 vjeç, ç`ka do të thotë se, në pjesën dërrmuese, shqiptarët azilkërkues janë familje, pra çifte me fëmijë. Ndër 345, 150 prej tyre janë djem dhe vajza, thonë të dhënat zyrtare të Zyrës së Statistikave në Holandë.
Paçka se, shifrat janë ende larg atyre të viteve 2015-2016, kur numri i shqiptarëve azilkërkues i kalonte 1 mijë, shifrat e dy muajve të fundit flasin për një tendencë të re të shqiptarëve nëpër Europë. Përgjatë të gjithë 2018-ës, numri ngjitet në 460, ndërsa shqiptarët vijojnë të jenë grupimi i 5-të më i madh i azilkërkuesve në vend.
Diçka duket se ka ndodhur me kanalet e kalimit të paligjshëm të kufijve, nga Shqipëria në Europë, dhe shqiptarët po e shfrytëzojnë këtë për t`u larguar drejt një prej vendeve me mirëqenien më të lartë në kontinentin e vjetër, siç është Holanda. /scan/