Shënim i ShkodraWeb
Të kam 30 milion lekë, a mund të të jap drogë për të larë borxhin? E vështirë të besohet, për sonte e vertetoi një emision investigativ me zë dhe me figurë. Edhe në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me një polic të thjeshtë, por me një “shef” të unifromave blu.
E përsëri na kthehet në mendje “Policia që duam”, e cila u mendua se do të eklipsonte foton e famshme “Grupi Çiftelia”. Nuk di të them nëse situata ka qënë e tillë si kjo që ka dalë në skenë sidomos pas çeshtjes “Tahiri- Habilaj” edhe nga viti 1990 e këtej, por sot jemi në kushtet e një skandali të plotë. Deri tani, “policia që duam” na rezulton vetëm ajo që grin në gjoba (me të drejtë) shoferët e dehur fundjavave.
Ka diçka që po kthehet në fenomen, sa herë zbulohen raste të rënda të implikimit të punonjësve të policisë në “pisllëqe”. Që të gjithë janë oficerë të rëndësishëm policia, shumë rradhë janë policë të thjeshtë. Kjo implikon dukshem “zinxhirin e komandës” në Policinë e Shtetit, nga drejtori i përgjithshëm deri tek shefat më të vegjël në nivel lokal. Sa më shumë “gërmohet” në atë që quhet “policia që duam”, aq më tepër rezulton “policia që duhej rrënuar”. Pas më shumë se 4 viteve slogane dhe dalje pa fund në media, krenaria deri në idiotizëm, bindemi së imazhi i policisë është nxirë. Asesi nuk dua ti përfshij të gjithë në një thes, asesi nuk mund të mohoj punën e përpjekjet vetmohuese të mjaft miqve e të njohurëve të mijë me uniformë. Por me besoni, edhe ata kam bindjen se ndjehen të tradhëtuar jo vetëm nga kolegët por edhe eprorët politikë.
Njoh policë që presin datën e rrogës për të siguruar jetesën e vështirë të familjeve. Njoh policë që më ankohen se nuk kanë marrë orët shtesë apo ndonjë shpërblim, i cili do i mundësonte pagesën e shkollës së fëmijëve. Sic edhe njoh shefa policie që dënden me dreka e me darka me kriminelë të shpallur në kërkim e që duhet ti arrestojnë ose policë, të cilët janë të detyruar të nderojnë me dorë kriminelë që janë miq me shefat e tyre.
Rastet flargrante në policinë e shtetit tregojnë edhe diçka tjetër, shumë të rëndësishme. Shteti nuk mund të ndërtohet me slogane, sado të bukura e të gjetura të jenë ato! Ndërtimi i shtetit në çdo vend të botës kërkon mund, sakrifica dhe jetë njerëzish. Njerëz që flijohen në altar për të vënë themele të forta për bijtë, për nipat, për brezat. Kjo polici që kemi sot, duhet zhbërë. Nuk e zhbën dot as vettingu. Sepse “peshku qelbet nga koka” dhe në majë është politika që vettingun e vetëvetes e ka harruar.