Nga Blerti Delija
Në mes të Shkodrës, në një zonë të mbipopulluar dhe vetem më pak se një kilometër nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër. Tre të plagosur, prej të cilëve dy në gjendje të rëndë. Të paktën 5 të tjerë konsiderohen si të lënduar. Një lajm i tillë, për ata që jetojnë jashtë Shqipërisë, konsiderohet mirëfilli një akt terrorist. I pastër sepse u përdor lëndë plasëse- tritol dhe në një ambjent të hapur. Eksperienca ka treguar se parandalimi i akteve të tilla- atentateve, është në kufinjtë e pamundësisë nga policia e strukturat e saj, me uniformë dhe civilë.
Shpërthimi u degjua në shumë zona të Shkodrës. Sirenat e alarmit të makinake e motorëve të policisë çanë ajrin në një ditë që ngjasonte me pranverën. Ambulancat u sulën me shpejtësi në vendin ku ndodhi shpërthimi për të dhënë ndihmën e tyre. Njerëzit pranë vendngjarjes u tromaksën. Ata që degjuan për të u trishtuan.
Në momentin e parë reagimi është i tillë. Më pas mediat zbulojnë detaje dhe flasin për shënjestrën e atentatit, për të kaluarën “ e errët” a thua se duan të justifikojnë veprimin e kryer qoftë edhe në shenjë hakmarrjeje. Sipas informacioneve të deritanishme, nëse shënjestra ka qënë personi që aludon edhe policia, po të tjerët që rrezikuan jetën jetën çfarë ishin? Njërin prej tyre e njoh personalisht. Banon në atë zonë, sapo ka kaluar të tridhjetat. Është djali i një njeriu shumë të mirë që në vitin 1999 apo 2000 u vra pa asnjë farë faji: ndodhej në lokalin e gabuar dhe në momentin e gabuar kur dikush shkrehu një breshëri hakmarrëse automatiku që kishte një shenjestër tjetër. Thuajse 20 vite më vonë, në të njëjten situatë ishte sot edhe i biri. Në rrethanat qëë njohim, duhet thënë fatmirësisht vetëm i plagosur, edhe pse në gjendje të rëndë për jetën. Si ai, kam bindjen që të gjithë të plagosurit e të lënduatit në ngjarje, janë persona të raastësishëm që mbase përveç trastave në dorë, mbartnin sot mbi shpinë peshën e halleve të përditshme. Ajo trandje i kujtoi se në kohën që jetëjmë duhet të jemi me fat nëse kthehemi në shtëpi edhe pasi kemi dalë të blejmë bukën poshtë shtëpisë.
Viti 2000 ishte vetëm 3 larg atij ku të gjthë shqiptarët u armatosën, ku një kallash shitej në krah të specave edhe në afërsi të vendit ku ndodhi ngjarja sot. Praktikisht, ishim në luftë. Nuk dihej se kush luftonte kundër kujt, por i ngjate shumë një lufte. Sot, jemi 20 vite pas 1997-ës. Pretendojmë që brenda 6 muajve të jemi kandidatë zyrtarë për në BE. Por skenat përsëriten thuajse si dy pika uji.
Unë si edhe shumë kolegë por edhe qytetarë e dime se në rradhët e policisë së shtetit ka individë që për arsye të ndryshme, bashkëpunojnë me krimin. Po ashtu, segmente të krimit kanë mbështetje edhe në qarqe të caktuara politike. E kështu krijohet një rrjet, i cili krijon premisa për ngjarje si kjo e sotmja. Lufta brenda vetë brenda segmenteve kriminale kthehet në “të pabarabartë” kur dikush ka suportin e segmenteve të policisë apo të politikës. Këto segmente apo grupe kriminale ndjehen më të forta, më të mbrojtura dhe trimërohen për të kryer akte si ai që sot shtangu Shkodrën.
Sot Shkodra u trondit në trup e në shpirt. Kjo buçimë tritoli u dëgjua edhe tek fqinjët tanë në Malin e Zi. Nuk ka dyshim se do të ketë pasoja. Së pari për Shkodrën tonë, e cila me vështirësi po përpiqet të ecë për t’iu larguar vendnumëro-së që po duan ti imponojnë. Së dyti për femijët tanë që 1997-ën e kanë me të dëgjuar. E së treti për ne që jemi më të rritur dhe që kaluam edhe 1997-ën për të na kujtuar se sa pak kemi ecur në 20 vite nga sa duhej të kishim ecur. Por fatkeqësisht, pavarësisht zhurmës së llahtarshme, duket shpërthimi nuk u degjua nga të gjithë…ata e dinë se kush janë.