Filimisht qarkulloi në media shuma 20 mijë euro si premio për Vllazninë në rast të fitimit të Kupës së Shqipërisë. Në fakt, mësohet se futbollistët dhe stafi kanë përfituar një shpërblim më të madh për trofeun që mungonte në Shkodër prej 13 vitesh.
Gëzimi për fitoren e trofeut, ka qenë aq i madh sa ka sjellë dyfishimin e premios nga sponsori Alban Xhaferi. Xhepat e futbollistëve dhe stafit “janë ngrohur” nga plot 40 mijë euro në total, një shifër kjo mjaft e lartë për futbollin shqiptar.
Po ashtu, futbollistët dhe stafi, të paktën një pjesë e tyre, kanë patur të parashikuara bonuse edhe në kontratat e firmosura në nisje të sezonit. Në këto bonuse, futej sigurimi i një vendi në Kupat e Europës, njëkohësisht edhe trofetë, një nga të cilat është edhe Kupa e Shqipërisë.
Kështu, mbyllja e sezonit vjen me lajme të mira për tifozët e Vllaznisë, por edhe për futbollistët dhe stafin. Sidomos nga ana e përfitimeve financiare. /ShkodraWeb/