Masat që Partia Demokratike propozon për të nxjerrë vendin nga gjendja e pandemisë kap një kosto prej 312 mln euro për 6 muaj. Teksa prezantoi planin e tij me 5 pika, Basha tha se e gjitha paketa e prezantuar nga PD nxjerr vendin nga ajo që ai e quajti niveli afrikan i trajtimit të pandemisë nga ana e qeverisë.
“Edhe po të mos ishte gjendja e pandemisë, situata e shëndetësisë dhe situata në ekonomi kërkon masa emergjente, sot më shumë se kurrë, sot më shumë se 3 muaj më parë, se 4 muaj më parë. Ju e mbani mend fare mirë paketën e propozuar atëherë. Kosto e saj shkonte 90 milionë euro, ndërsa masat që ne propozojmë për 6 muajt e ardhshëm përllogariten në 52 milonë euro në muaj.
Pra, efekti total është afro 312 milionë euro për 6 muajt e ardhshëm, duke nisur nga tetori. Kjo përbën 2.45 të prodhimit të brendshëm të Shqipërisë dhe e vendos Shqipërinë në mesataren e shpenzimeve të rajonit, për t’u përballur drejtpërdrejt me pasojat e ÇOVID tek shëndeti dhe pasojat ekonomike.
Nuk na çon në vendet me paketën më ambicioze në rajon, flas për Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi, Serbinë, Bosnjën, jo për vendet e tjera, por na nxjerr nga niveli afrikan i shpenzimeve në raport me prodhimin e brendshëm bruto, 0.86%. Kaq janë shpenzimet e qeverisë sipas FMN për t’u përballur me ÇOVID dhe pasojat ekonomike të tij”, tha Basha.