“Kryeministri dhe unë s’kemi premtuar që do hapen negociatat.”. Me këto fjalë justifikoi sot mëkëmbësi i kryeministrit në Ministrinë e Jashtme Gen(c)t Cakaj mungesën e paralelizmit në qasjen për moshapjen e negociatave në mes Zaevit të Shkupit dhe Ramës së Tiranës.
“Shqiptari më i ditur” për moshën që kishte njohur Edi Rama me ndërmjetësimin e Baton Haxhiut, fëmijë i llastuar i politikës shqiptare, vazhdon të tallë gjithë ditën “gencin” me Shqipërinë e shqiptarët. Sepse në fakt, Gent dhe Genc janë sinonime në gjuhën shqipe…
Ky “vogëlush” që më mirë se askush po e prezanton Julian Deda në “Portokalli”, u ngjit në krye të Ministrisë së Jashtme për të realizuar një mision, të cilin siç i’a përmendi edhe kryeministri Haradinaj, nuk i’a doli.
Sot ky “genc” vazhdon talljen me shqiptarët e cfilitur duke i’i kujtuar se as ai e as shefi i tij, nuk paskërkan premtuar hapjen e negociatave. Ky çunak buzëqumësht për politikën por edhe jetën reale, harron se shefi i tij hapi edhe shampanjën e fitores vetëm pak muaj më parë e sajoi lloj- lloj dekoratash e medaljesh për diplomatë e ambasadorë për “kontributin” në çeljen e negociatave. E po ashtu, me parimin e shefit të tij “ç’më duhet mua çfarë bëj e them unë”, ashtu si Shvejku i famshëm, ka fshirë nga kujtesa deklaratat para medieve, në rrjete sociale e kancelaritë evropiane. Jo vetëm ato të “gencit” të vogël por edhe “gencit” të madh.
E sot, kur nuk duhet të guxojë të nxjerrë kokën para kamerave ai ai e as shefi i tij, Genti tall “gencin” publikisht me shqiptarët. “Kryeministri dhe unë s’kemi premtuar që do të hapen negociatat”, kthen në vëmendje shprehjen e famshme “unë e Enveri nuk dimë gjë, vetëm nëse e ka bërë Mehmeti në kokën e tij”. Po kush na mbushi kokën me deklarata pafund, kush na gënjeu nga qershori në dhjetor e përsëri nga dhjetori në qershor për katër muaj rresht? Kush na “ndoti” mediatikisht duke u përbetuar se “reforma në drejtësi” është hapi final, “kryereforma” për negociatat me BE- në? Kush anatemoi nga mëngjesi në darkë, për 6 vite rresht opozitën e këtij vendi si “sabotatore” e integrimit dhe “reformës në drejtësi”? A dëguat ndonjë titullar të BE-së të kritikojë apo fajësojë opozitën që nuk u çelën negociatat këtë tetor? Cilat janë efektet e “reformës” tënde në Ministrinë e Jashtme në funksion të lehtësimit të procesit të integrimit?
Deri në shkurt të këtij viti, retorika vazhdoi me “fajin e ka Berisha”, “fajin e ka Basha”, “fajin e ka Kryemadhi, e ka Meta”. Por me largimin e opozitës nga institucionet, përgjegjësia ishte ekskluzive e “gencit” të madh dhe “gencërve” të vegjël poshtë tij.
Në një vend normal o Gen(c)t, ti duhej të ishe i pari që duhej të jepje dorëheqjen pas vendimit të fundit të Brukselit. Pavarësisht se ti, si mëkëmbës i “gencit” të madh nuk ke nga çfarë të dorëhiqesh. E për “gencin” e madh, është kuptuar tashmë se ndarja nga pushteti do të ishte humbja më e madhe e jetës! E prandaj, ky vend, Shqipëria jonë, jo e jotja, lëngon që para se të lindje ti! Sot të ka ardhur dita të tallësh edhe ti “gencin” me ne shqiptarët që kemi mbetur akoma këtu o Gen(c)t! /Nga Sokol N. Sokoli/