Kandidati i vetëm zyrtar për Bashkinë e Shkodrës deri tani (nëse vazhdon kështu, edhe kryetari i ardhshëm!), Valdrin Pjetri ka dalë para gazetarëve 24 orë nga zyrtarizimi i tij para strukturave të PS-së Shkodër. Ai i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, duke përcjellë mesazhet e tij në daljen e parë publike si kandidat.
Gjatë muajit maj, do të dëgjojmë nevojat e shkodranëve dhe më pas, do të dalim me premtimet tona, ka përsëritur më shumë se njëherë Pjetri. Jo detyrimisht do të marr për bazë programet e kandodatëve të tjerë socialist për Bashkinë e Shkodrës, ka qenë një tjetër pohim i tij. Periudha një muaj e gjysmë si prefekt, më ka ndihmuar të njoh problemet e Shkodrës e shkodranëve, ka vijuar kandidati socialist. Lidhur me investimet në Shkodër, kandidati Pjetri duket se ka qenë i papërgatitur sa duhet. Ai ka folur për një fond IPA, me vlerë 100 milion euro, nga i cili përfiton edhe Shkodra. Me këto fonde, do të bëhet rruga Shirokë- Zogaj, një muzeum në Zogaj dhe kanalizimet atje. Po ashtu, Pjetri ka folur edhe për rrugën Shëngjin- Velipojë, ndërsa ka paralajmëruarse gjatë fushatës, pra në qershor, do të nis edhe rruga Qafë Thore- Theth, edhe ai investim i Bankës Botërore.
I pyetur për pasurinë e tij, Valdrin Pjetri është shprehur shkurt. Kush është i interesuar, mund të kërkojë informacion nga ILDKPI. Pasi nga 2014 është subjekt i deklarimit të detyrueshëm të pasurisë. Ndërsa ka sjellë në vëmendje se ka 10 vite eksperiencë në administratën publike, Pjetri ka thënë se NIPTI i parë i bisneseve të tij është i vitit 2003 në Tiranë dhe është akoma aktiv.
Përgjigje më shumë se interesante, ishte ajo për pyetjen që lidhej me avantazhet që Pjetri mendon se ka me rivalët e tjerë, të cilët sot zyrtarisht nuk ka asnjë, edhe pse përflitet si kandidat i pavarur Stef Staku. Ish- prefekti ka paraqitur tre përparësi: 1. E kam seriozisht, 2. E kam me qejf këtë punë (kryetarin e Bashkisë), 3. Kam eksperiencë në drejtimin e institucioneve shtetërore shumë të rëndësishme.
Kandidati Pjetri ka shprehur dëshirën që të ketë përballë një rival nga PD-ja, dëshirë që sipas gjasave, me 30 qershor nuk do ti plotësohet. Po ashtu, ai ka cituar Edi Ramën duke folur për pasojat që mund të ketë moslejimi i zhvillimit të zgjedhjeve vendore në Shkodër në datën e caktuar, ndërsa ka ftuar opozitën të protestojë ditën e natën por pa shkaktuar dëme sepse i paguajmë ne, taksapaguesit shqiptarë, ka thënë Pjetri.
Duke folur për të atin, Luigj Pjetrin, kandidati socialist ka thënë se ai ia ka kushtuar jetën hidrocentraleve e në veçanti lumit Drin. Unë e kam emrin Valdrin, vëllai Dritan dhe motra Drivalda, ka shtuar ai duke shprehur krenarinë për ingjinierin e hidrocentraleve, siç e quajti ai babanë e tij.
Në daljen e tij të parë për mediat, Valdrin Pjetri ka prezantuar edhe shefin e fushatës së tij elektorale për Bashkinë e Shkodrës. Ai është doktori i mirënjohur Astrit Beci, i cili përpara emërimit direkt nga kryeministri Rama (siç e deklaroi vetë sot kandidati) të Pjetrit si kandidat, ishte edhe ai vetë ndër emrat e përfolur. /ShkodraWeb/