
PD Rithemelimi ka njoftuar zgjedhjet në 19 degë të veta në të gjithë vendin. Në fakt, janë 20 degë, pas dorëheqjes së një prej kryetarëve në detyrë pas vendimit të Kryesisë për zgjedhjet. Mes këtyre degëve, është edhe Malësia e Madhe, ku për PD Rithemelimi nuk u bënë asnjëherë zgjedhje për kryetar pasi dështuan sa herë u thirrën.
Për zgjedhjet, të cilat duhet të pëfundojnë deri me 31 mars sipas KOKOE të PD Rithemelimi, në Malësi të Madhe është zyrtarizuar kandidatura e parë për kryetar. Ai është avokati Kujtim Ibraj.
52- vjeç, Ibraj është një avokat i njohur në Tiranë, mysafir edhe i mjaft studiove të emisioneve televizive. Me 28 janar 2021, ai u prezantua me bujë nga LSI si një prurje me mjaft potencial në radhët e saj.
Ndërkohë, sipas komunikatave të policisë së kohës, në vitin 2016, ai ka patur disa probleme për shkak të denoncimeve për mashtrim dhe ushtrim ndikimit të paligjshëm.
“Ky shtetas i ka premtuar një shtetasi tjetër për ta vendosur në punë tek Fizika Bërthamore kundrejtë një shume prej 5000€”, sqaronte në atë kohë policia e Tiranës në komunikatën e datës 24 qershor 2016.
Për postin e kryetarit të PD Rithemelimi në Malësi të Madhe, janë përfolur edhe emra të tjerë por deri në këto momente, ka konfirmuar zyrtarisht kandidaturën e tij avokati Kujtim Ibraj.