Një marrëveshje koalicioni është nënshkruar nga partitë shqiptare në Malin e Zi për të maksimalzuar rezultatin e faktorit politik shqiptar në Trevën e Malësisë në Malin e Zi në zgjedhjet lokale të 26 nëntorit.
Marrëveshja e koalicionit është nënshkruar nga “Alternativa Shqiptare”, “Unioni Demokratik Shqiptar”, “Lidhja Demokratike Shqiptare” dhe “Forumi Demokratik për Integrim”
Sipas marrëveshjes partitë ranë dakord që në zgjedhjet lokale të mbajnë parasysh interesin e përbashkët të popullsisë që përfaqësojnë për të maksimalizuar rezultatin e zgjedhjeve në favor të kandidatëve shqiptarë.
Në marrëveshje thuhet se “mbi këtë bazë, në dakordës e bashkëpunim do të ndërtohen listat dhe koalicionet parazgjedhore”.
Po ashtu partitë politike shqiptare ftojnë të gjithë faktorët politikë dhe shoqërorë, OJQ, intelektuale e të tjerë që të dalin kudo me një zë të përbashkët në mbështetje të kandidatëve shqiptarë.
Gjithashtu partitë politike shqiptare kanë rënë dakord që pas zgjedhjeve lokale dhe në bazë të rezultatit, të gjithë formacionet, listave dhe subjektet zgjedhore nuk do të mund të angazhohen në asnjë mënyrë e rrethanë veçmas por vetëm sëbashku dhe në dakordësi për formimin e shumicës në këshillin Komunal të Komunës së Tuzit.