Altin Xhahysa ishte i ftuar mbrëmë në emisionin “Star Sport” në moderimin e gazetarit Endri Çinari. Ish-sulmuesi i Vllaznisë, aktualisht trajner i Murlanit foli për situatën aktuale te shkodranët. Ai theksoi se në kampin kuqeblu mungon sakrifica e futbollistëve, të cilët sillen si kapriçiozë në fushën e blertë.
“Mendoj se Vllaznia humbi një ndeshje me Tiranen që ndoshta nga shumë kush nuk pritej, por që u kuptua që në minutat e para. E them këtë se Vllaznia luajti që në fillim me topa të gjatë dhe u pa që kjo nuk ishte mënyra e duhur për të marrë diçka pozitive, sepse nuk po funksiononte.
Tirana e mundi Vllazninë me vetëm 60% të potencialit të saj. Ishte një nga fitoret më të lehta për ta në vitet e fundit në Shkodër. Shoh mungesë sakrifice, por edhe harmonie tek Vllaznia. Ambienti nuk është si sezonin e kaluar. Nga informacionet që kam, Arsid Kruja nuk ka dëgjuar të luajë si mbrojtës i djathtë kundër Tiranes. Prandaj u aktivizua Fangaj.
Po ashtu në ndeshjen me Kukësin, Da Silva i është drejtuar stafit teknik në formë “urdhëri” që ai të jetë se s’bën në formacionin titullar. Po kush është Da Silva? Vllaznia s’ka probleme vetëm në fushë, por edhe jashtë. Prandaj drejtuesit duhet të marrin masat sa më shpejt për zgjidhjen e situatës”, tha ai.
Kujtojmë që Vllaznia u mposht me rezultatin 2-0 në shtëpi nga Tirana, me golat e shënuar nga Redon Xhixha dhe Taulant Seferi.