Para finales së djeshme të Kupës së Shqipërisë, trofeun i fundit i Vllazninë ishte fituar në 2008-ën, pikërisht Kupa, dhe asokohe klubi ishte në duart e presidentit Valter Fushaj. Pas 13 vitesh shkodranët rikthehen sërish te trofeu i Kupës dhe ish-presidenti Fushaj në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” u shpreh shumë i gëzuar për arritjen e skuadrës shkodrane.
Ndonëse pretendonte ta privatizonte klubin, ish-presidenti për arsye të tijat u tërhoq nga gara, por kjo nuk e pengoi atë bashkë me ishpresidentin Agron Çela apo ish- drejtues të tjerë që të ishin mbrëmë në përkrahje të Vllaznisë.
Sipas Fushajt, ky ekip po rritet, por nuk është në nivelin e ekipit që ai ka pasur dhe shpreson që vitin tjetër ta kthejnë edhe titullin kampion në Shkodër.
Për herë të fundit Vllaznia kishte fituar trofe me ju në krye. Si ndihet ish-presidenti Valter Fushaj pas fitimit të Kupës?
Më vjen mirë që Vllaznia fitoi Kupën pas 13 viteve, që në 2008-ën kur kam qenë unë president. Jam shumë i gëzuar, e meritoi plotësisht.
Kjo finale tregoi se te Vllaznia ka një harmoni në çdo hallkë, pasi edhe ju si ish-president apo edhe ish-presidenti Çela, ishit të gjithë bashkë me drejtuesit aktualë dhe festuat. Pra, te Vllaznia nuk ka vend për hatërmbetje?
Normalisht që ka një harmoni, pasi dihet që Vllaznia i përket të gjithë Shkodrës dhe ne jemi të gjithë pjesë e Vllaznisë.
Pas këtij suksesi dhe atmosfere së krijuar, a ju vjen keq që u tërhoqët nga gara për të privatizuar klubin?
Nuk më vjen keq, pasi jam tërhequr vetëdije. Ishin ato probleme që i kam bërë të ditura dhe për këto shkaqe nuk e pashë të arsyeshme për të hyrë në garë. Kam dhënë boll për Vllazninë, tetë vite, 5 si president dhe 3 si zv.president. Besoj se këto mjaftojnë. Është koha për pushim.