
Ditën e sotme, përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, ish- deputetja e PD- së Shkodër Izmira Ulqinaku, ka akuzuar për vjedhje OSHEE- në Shkodër, duke evidentuar mungesën e energjisë elektrike sa herë ka reshje shiu apo dëbore. Në postimin e saj, Ulqinaku evidentonte:
“Vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje në OSHEE Shkodër! Qytetarët pa energji elektrike, sa herë ka reshje shiu e dëbore.
Njësia Administrative Rrethina dhe disa fshatra përreth saj, ka tre ditë që ndodhen në mungesë të plotë të energjisë elektrike. Edhe pse është telefonuar disa herë operatori, nuk është marrë asnjë masë. Tash 6 vite që banorët vuajnë mungesën e elektricitetit çdo vjeshtë e dimër; ndërkohë asnjë nga teknikët nuk shkon të evidentojë ndonjë defekt, por leshojnë me papërgjegjshmëri deklarata naive duke mos informuar me saktësi qytetarët.
Kjo është fryma e Rilindjes dhe e Edi Ramës, e cila i lë shqiptarët në mëshirë të fatit. Në zonë ka familje me femijë të vegjël, familje me pleq të sëmurë, të cilët e kanë jetike energjinë elektrike.
Në institucionet e shërbimit, siç është edhe OSHEE, mungon dëshira për të punuar, humanizmi e solidariteti sepse drejtuesit e tyre janë ushtarët e bindur të Edi Ramës, të cilët frymëzohen nga kryekrimineli kryeministër për të torturuar qytetarët.
I bëj thirrje OSHEE Shkodër të marrë menjëherë masat e nevojshme në mënyrë që qytetarët e Shkodrës të mos vuajnë asnjë minut më tepër mungesën e energjisë elektrike!”.
Ndërkohë, nuk ka vonuar as edhe përgjigja nga OSHEE Shkodër, që ka shpërndarë një njoftim për mediat, të shoqëruar edhe me foto. Në fakt, OSHEE është kujdesur të mos e përmendë emrin e Ulqinakut, por është e qartë se mesazhi është për ish- deputetën. OSHEE Shkodër sqaron sa më poshtë:
“Duke nisur nga disa akuza politike në drejtimin e OSHEE Shkodër, i cili është një institucion i cili është në shërbim të të gjithë qytetareve sqarojmë se Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), për shkak te avarisë në linjën 35kV të Koplikut, kanë mbetur pa energji elektrike zonat: Lagjet Dobraç, Kiras dhe Lopçej në qytet Shkodër, më tej Kelmend, Koplik, Bajzë, Hot, Vrakë dhe Zagore.
Ekipet e Drejtorise Tensioni Lartë Veri, në bashkëpunim me brigadat e OSSH rajoni Shkodër janë duke kryer manovrime për lokalizimin e avarisë në linjë. I kujtojmë zotërive që shkruajnë statuse nga shtëpia në kushte komode se punonjësit e OSHEE jane prej 4 ditësh dhe netësh në terren , duke sfiduar shiun dhe stuhinë për të riparuar defektet dhe avaritë.
Ato janë të gjithë qytetarë shkodran dhe punonjës të përkushtuar ndaj meritojnë vlerësim për punën e pandërprerë dhe jo përbaltje sipas orekseve politike.”. /ShkodraWeb Media/
Për bashkëpunime, publikime reklamash, njoftimesh në ShkodraWeb, mund të shkruani në SMS, Whatsapp, Viber +355 67 300 20 70 ose mail: info@shkodraweb.com në çdo kohë!