Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, pas informacioneve të siguruara për një shtetas i cili do të transportonte armë zjarri nga Shkodra drejt Rinasit, me qëllim shitjen e tyre, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Rrethi”.
Si rezultat, në Rinas, u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi Kreshnik Burrja, 45 vjeç, banues në Shkodër.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën 45-vjeçarit, 2 armë zjarri pistoleta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve, në bashkëpunim me DVP Shkodër u ushtrua kontroll në banesën e tij, në Shkodër, dhe gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri shotgan me municion luftarak, 1 pistoletë pneumatike me ajër, doza kokaine, sasi kanabisi, fara të dyshuara narkotike kanabis, përforcues grushti dhe mjete prerëse thika.
Nga verifikimet e kryera dyshohet se 45-vjeçari i arrestuar i ka siguruar armët e zjarrit, me qëllim shitjen e tyre.