Dy gra këtë të hënën kanë përfunduar në spitalin e Lezhës pas një konflikti që ato kanë pasur në familje. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Markatomaj të Lezhës, ndërsa bëhet me dije se ato janë kunata me njëra-tjetrën.
Burimet thanë se njëra nga gratë e dhunuara është Dava Ndoj, 33-vjeçe. I ati i saj është shprehur për mediat se ajo është me urdhër mbrojtje, kurse konflikti mes tyre ka nisur që me datë 16 janar.
Sipas babait të të dhunuarës, i cili ka bërë edhe denoncimin, vajza e tij është sulmuar nga pesë persona të së njëjtës familje.
“Sot e kanë sulmuar vajzën time fizikisht vjehrri me gjithë vajzën e vet të martuar, djali i vajzës, nipi që është në moshë madhore, mbi 20 vjeç, vajza e po kësaj dhe një mbesë tjetër. Dava është me urdhër-mbrojtje. Vendimi i gjykatës të premten është i formës së prerë me i çuar energjinë elektrike dhe ujin se janë dy muaj pa to”, tha ai.
Ai theksoi se konflikti me familjen e ish-bashkëshortit kanë nisur që me datë 16 janar, pasi kërkesës për divorc.
“Konfliktet kanë nisur që më 16 janar. Vajza është e dhunuar, i kanë shkulur flokët, me hematoma, nuk e lëviz qafën. Vjehrri i Davës ka çuar një mik tek vëllai im, jo tek unë, dhe i ka thënë ma rregullo punën se Dava po më merr shtëpinë, ai i ka thënë nuk kam punë, çfarë të japë gjykata merr Dava”, deklaroi i ati i 33-vjeçares.
Ai shprehet se kërkon drejtësi për gjithë këtë situatë.