Bashkia Shkodër ka organizuar si çdo vit aktivitetin përkujtimor në nderim të Kryengritjes Antikomuniste të Postribës. Në qendër të Njësisë Administrative Postribë, janë tubuar sot banorë të zonës por edhe nga treva të tjera të vendit.
Fillimisht, në memorialin që përjetëson këtë ngjarje, janë vendosur kurora me lule nga Bashkia e Shkodrës, Partia Demokratike, deputetët shkodranë të PD- së, drejtues të shoqatave të ish- të persekutuarve politikë, familjarë të heronjve dhe martirëve të kësaj ngjarje.
Në vazhdim, oratorët që kanë marrë fjalën, kanë vlerësuar këtë ngjarje, veprën e kontributin e pjesëmarrësve dhe mbështetësve, si një shkëndijë e parë e përpjekjes 45 vjeçare të Shkodrës me diktaturën komuniste.
Me 9 shtator 1946, postribakë, shkodranë, malësorë, dukagjinas etj., nën thirrjen “Kush të dojë e kush të mundet” u bashkuan për t’iu kundërvëne me armë regjimit komunist. Kjo ngjarje pari të vrarë, të plagosur, të gjymtuar dhe më pas, burgosje, internive dhe persekutime që zgjatën për 45 vjet.