“Test, test, test” është rekomandimi që vazhdon të japë OBSH- Organizata Botërore e Shëndetësisë për epideminë e virusit korona që ka mbërthyer botën. Megjithatë, kryeministri ka një mendim tjetër për të mos i shtrirë në shkallë të gjërë testet e tamponit, siç quhen në gjuhën profesionale. Po si paraqitet situata në këtë drejtim për Qarkun e Shkodrës?
Ditën e djeshme kryetarja e Bashkisë Shkodër tha se që nga fillimi i situatës së përhapjes së virusit në Shqipëri, në qarkun e Shkodrës janë kryer vetëm 14 teste. Fatmirësisht, të gjitha kanë rezultuar negative. Këtë shifër e konfirmon Lindita Haxhia, drejtorja e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor për Shkodrën në një intervistë për mediat. Dy ditët e fundit, nuk ka patur asnjë testim, ndërsa Haxhia ka thënë se për të gjithë qytetarët që vijnë nga vendet e prekura përmes doganave, institucionet vetëpërditësohen duke i pyetur këta shtetas derisa kalojnë 14 ditët që nevojiten për vetizolimin. Të gjithë ata shtetas që kanë simptomat e koronavirusit mund të kontaktojnë me numri 127 pa dalë nga shtëpia përfundoi drejtorja Lindita Haxhia.
Për një qark si Shkodra, ku sipas sistemit TIMS nga 27 shkurti kanë hyrë mbi 1200 persona nga zona të prekura nga virusi, që bashkë me persona të afërt kjo shifër arrin deri në 3600 persona, 14 teste tampon janë shumë pak. A qarkullon virusi kosona në Qarkun e Shkodrës, a mund të ketë persona të infektuar që ndoshta nuk kanë simptoma por gjithsesi mund të infektojnë të tjerë? Teorikisht përgjigja është PO! Dhe përsa kohë nuk ka testime, askush nuk mund te hedhë poshtë këtë hipotezë. Në këto kushte, Zoti i ruajtë shkodranët e shqiptarët! Më poshtë, mund të ndiqni edhe intervistën e kryetares së Bashkisë Shkodër Voltana Ademi dhënë një ditë më parë. /ShkodraWeb Media/