Një qytetar nga Shkodra ka gjetur një plumb në dritaren e banesës se tij, në katin e tretë, ndërsa menjëherë më pas ka njoftuar policinë.
Burime nga uniformat blu të Shkodrës bëjnë me dije se dyshohet për një plumb qorr, pasi ka qenë në rënie të lirë dhe jo drejt dritares.
Sakaq, policia po punon për sqarimin e plotë të ngjarjes, e ndodhur në lagjen “Skenderbeg”, ndërsa nuk ka të lënduar dhe as dëme materiale.
NJOFTIMI I POLICISË
Më datë 14.12.2022, rreth orës 20:00, një shtetas ende i paidentifikuar, duke qarkulluar me automjet, në rrugën “Hilë Mosi”, në lagjen “Skënderbeg”, në ecje e sipër ka qëlluar një herë, me armë zjarri, në ajër.
Si pasojë predha e plumbit ka rënë në dritaren e katit të tretë të banesës së shtetasit P. S., 57 vjeç. Nga rënia e predhës nuk ka mbetur i dëmtuar asnjë person.
Grupi hetimor ka sekuestruar menjëherë pamjet e kamerave të rrugës, në të cilat dallohet drejtuesi i automjetit që ka qëlluar një herë me armë zjarri, në ajër.
Vijojnë veprimet, nën drejtimin e Prokurorisë, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollin e zonës dhe janë ngritur pika kontrolli, në të gjitha rrugët, me qëllim bllokimin e automjetit dhe kapjen e autorit.