![](https://www.shkodraweb.com/wp-content/uploads/2022/07/lirimi-gjykata-saimir-rrustemi-2022.jpg?x28643)
Ka përfunduar në Gjykatën e Shkodrës seanca për vlerësimin e masës së sigurisë për 14 persona, mes të cilëve edhe efektivë të policisë së DVP Shkodër, të akuzuar se abuzuan me një tender në Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe.
Në fund të seancës, gjykata ka vendosur lirimin nga paraburgimi të 14 personave, të cilët u ndaluan 3 ditë më parë nga kolegët e tyre.
Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për 11 prej tyre, ku përfshihen ish shefi i rendit Saimir Rrustemi, së bashku me Luida Ujkan, Mustaf Ishmakun, Xhavit Isufin, Armand Bashen, Rudina Keqin, Klement Tolen, Paulin Prendin, Rezart Prelën, Altion Bashen dhe Veronika Xhanaj.
Ndërsa Arsenida Hadri dhe Briland Mnela janë lënë në detyrim paraqitje.
Dyshohet se gjatë periudhës kohore 2020 deri në fund të vitit 2021, këta punonjës Policie dhe punonjës të administratës civile pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër kanë kryer veprime favorizuese dhe fiktive, me qëllim favorizimin e subjekteve të caktuara për përfitimin e tenderave me vlera të vogla që janë zhvilluar nga kjo drejtori.
Punonjësit e Sektorit të Auditimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjatë kryerjes së auditimit të procedurave të tenderimit për vitin 2020 dhe 2021 dyshohet gjithashtu se nuk kanë pasqyruar në mënyrë të qëllimshme shkeljet e kryera në lidhje me procedurat e prokurimeve kryer nga punonjësit përgjegjës të DVP Shkodër.
Ish-shefi i rendit Saimir Rustemi dhe 12 efektivë të tjerë të policisë janë liruar nga qelia ndërsa vendimi jashtë Gjykatës së Shkodrës është pritur jashtë me duartrokitje.
Kujtojmë se jashtë gjykatës qytetarë të ndryshëm me postera në duar protestuan në mbrojtje të Rustemit.