Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, ka zhvilluar sot një bashkëbisedim të lirë me të rinjtë. Të pranishëm në takimin e organizuar, ishin të rinj përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe të forumeve politike.
Në qendër të bashkëbisedimit, ishin prioritetet e projekt- buxhetit për rininë por edhe politikat e Bashkisë së Shkodrës për të rinjtë. Bashkëbisedimi ka zgjatur 2 orë dhe është transmetuar direkt edhe në faqen zyrtare të Bashkisë së Shkodrës.
Të rinjtë kanë dhënë mjaft ide dhe mendime lidhur me punën e deritanishme të Bashkisë Shkodër për rininë por kanë dhënë edhe propozime konkrete për vijimësinë. Nga ana e saj, kryebashkiakja Ademi, ka bërë një prezantim të asaj çfarë është bërë për rininë gjatë 5 viteve të fundit, ndërsa ka mirëpritur edhe idetë e hedhur nga vetë të rinjtë.
Në fund të bashkëbisedimit, u hodh ideja e formalizimit të një forumi të përbashkër konsultativ në mes Bashkisë së Shkodrës dhe të rinjve. Ideja është mirëpritur nga Ademi, e cila e ka konsideruar këtë takim vetëm hapin e parë me synim institucionalizimin e një formati të tillë konsultimi. Takimi është zhvilluar në respektim të plotë të kufizimeve të vendosura për shkak të pandemisë. /ShkodraWeb Media/