Partia Demokratike e Rithemelimit, ka nisur një tur takimesh për të diskutuar mbi dëmin dhe pasojat që sjell ligji i ri i Zonave të Mbrojtura.
Pas Pogradecit, tryeza e dytë me ekspertë, profesor, pjesëtarë të shoqërisë civile u zhvillua në Shkodër.
Në këtë tryezë u fol për qasjen ndërtimore të ligjit të ri në zonën turistike të Velipojës, apo zonat e mbrojtura të Shkodrës që janë të shumta. Hapja e takimit u bë nga deputetja e Shkodrës Emilia Koliqi.
FJALA E EMILIA KOLIQIT
Në harkun kohor të një muaji, me votat e maxhorancës, me propozimet e deputetëve socialist, miratohen dy ligje, Për Zonat e Mbrojtura dhe Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë.
Dy ligje, që do lejojnë investimet strategjike në këto zona, duke dëmtuar natyrën e mbrojtur. Dy ligje që në variantin përfundimtar, miratojnë vetëm propozimet e sjella nga qeveria.
Delegacioni i BE-së, i kërkoi Komisionit të Veprimtarive Prodhuese në Kuvend, ta tërhiqte variantin e sjellë nga qeveria, pasi binte ndesh me legjislacionin europian për mjedisin, me Marreveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA) dhe me Direktivën e Këshillit të BE-së.
Por ligji u votua, pa u marrë parasysh asnjë mendim i ekspertëve, edhe pse para parlamentit kishte një proteste të shoqërisë civile.
Zgjatja e afatit të ligjit për investimet strategjike, bëhet vetëm në funksion të klientëve të qeverisë, për të ndërtuar resorte, struktura turistike, apartamente për shitje, për të përfituar lehtësi fiskale dhe infrastrukturë ndihmëse.
Për gjithë rregullat dhe kriteret, do të vendosë KM si kryetari i Këshillit Kombëtar te Territorit. Prandaj i duhej edhe Shkodra, si bashkia që kishte zona të rralla natyrore, që ta shkatërrojë dhe të betonizojë:
Parkun kombëtar “Alpet e Shqipërisë” ku bën pjesë edhe Thethi;
Peizazhin e Mbrojtur “Lumi Buna Velipojë”;
Parkun natyror “Lugina e Shales”, “Liqeni Shkodres-Lumi Buna”;
Zonat e Mbrojtura me Interes Ndërkombëtar Delta e Bunes, kjo edhe me statusin RAMSAR (ligatina me rëndësi ndërkombëtare për ruajtjen e specieve të rralla ose unike).
Plani i pergjithshem vendor po rishikohet me nje fond 60 milionë lekë, që qeveria e dha apostafat për Shkodren, për t‘i hapë rrugën zbatimit te ketyre ligjeve.
“Shpronësimet për interes publik”, kanë krijuar konflikte sociale për resorte të ndërtuara në prona private, ku investitori e ka marrë tokën jo me çmim tregu, por me çmim reference të caktuar nga qeveria.
Thethi, Dukagjini sot nuk kanë akte pronësie dhe toka do të merret pa asnjë shpërblim.
Turistët sot vijnë në këto zona, për atraksionet tona natyrore, florën dhe faunën e egër, për habitatet e paprekura, unike në llojin e vet.
Betonizimi i këtyre zonavE nuk i shërben turizmit të qëndrueshëm dhe nuk i referohet asnjë objektivi të Agjendës së Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara.