Festa e Luleve, 6 maji i çdo viti, është festë tradicionale prej shumë vitesh. Qyteti që i kushtoi më shumë se 150 këngë luleve, qyteti i Luleborës së famshme, e kishte të natyrshme një ditë që ti kushtohej luleve.
Nga viti në vit, tradita është pasuruar, duke u kthyer në një event qytetar, me përfshirje të grupmoshave të ndryshme, të zhanreve të ndryshme të artit e sportit. Këtë vit, aktivitetet nisin me panairin “Lulet e qytetit” tim, për të vijuar me ekspozitë pikture dhe demonstrim prodhimesh që kanë në qendër lulet nga nxënës të shkollave të Shkodrës.
Koncerti final i eventit “Bilbilat e vegjël në Shkodër këndojnë”, edhe ky një traditë që pasuron Festën e Luleve, do të pasohet me një event sportiv. Rekordmeni Agim Agushi arrin thyerjen e rekordit “Guinness” në mbajtjen e topit me kokë, duke veshur e zhveshur bluzën e tij.
Pasditja e Festës së Luleve ka rezervuar një ekspozitë pikture për të kulmuar me koncertin “N’ GeN” (New Generation).