
Specialistët për Hetimin në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Veprave Penale ndaj Pronës në DVP Tiranë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e datës 7 janar 2020, ku një person vodhi me d.hunë një sasi lekësh, në një zyrë kredidhënieje në shuma të vogla, organizuan punën dhe nën drejtimin e prokurorisë, duke përdorur metodat proaktive, bënë të mundur që brenda një kohe të shkurtër të identifikohej autori i kësaj ngjarjeje.
Në bazë të provave të grumbulluara, u organizua dhe finalizua operacioni i koduar “Designer”, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe prangosja e shtetasit D. K., 28 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas, në datën 07.01.2020, rreth orës 18:30 ka shkuar në rrugën “Medar Shtylla”, në filialin e një institucioni financiar dhe me anë të ushtrimit të d.hunës me një shkop metalik, i ka vjedhur punonjësve të këtij filiali një shumë prej 60000 lekësh të rinj dhe dy aparate celular.
Gjatë kontrollit në banesë, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një biçikletë, me të cilën u largua pasi kreu vjedhjen, si dhe një shumë prej 45000 lekësh të rinj. Materialet i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me d.hunë”.