Mesnata e 31 majit dhe orët e para të 1 qershorit, kanë regjistruar një festë të vertetë në Shkodër. Përme rrjeteve sociale dhe portaleve të Shkodrës, është organizuar një pritje për Vllazninë që u shpall fituese e Kupës së Shqipërisë. Ishte njoftuar për orën 00.15 mbërritja e ekipit nga Tirana në sheshin “Nënë Tereza” të Shkodrës por autobuzi i Vllaznisë ka mbërritur me mjaft vonesë.
Shkak kanë qenë tifozët, të cilët nuk kanë duruar ta presin në Shkodër, por me dhjetra makina i kanë dalë para ekipit në Kryebushat. Kjo ka sjellë që autobuzi të ngadalësojë lëvizjen. Ndërkohë në sheshin “Nënë Tereza”, qindra tifozë ishin në pritje duke hedhur thirrje për Vllazninë por edhe duke demostruar entuziazmin me mjete motorike dhe fishekzjarre.
Rreth orës 01.00 është mësuar se ekipi do të futet në qytet nga pjesa e Pedonales “28 nëntori”. Kaq ka mjaftuar që të gjithë tifozët të drejtoheshin nga sheshi i Parrucës, ku pas pak minutave ka mbërritur autobuzi i Vllaznisë, i shoqëruar nga dhjetra makina. Këtu ka nisur edhe festa. Futbollistët kanë zbritur nga autobuzi dhe të pritur me ovacione e thirrje nga tifozët, janë akomoduar në hyrjen e Bashkisë.
Njëri pas tjetrit futbollistët dhe stafi drejtues e teknik i Vllaznisë, kanë përshendetur tifozët me kupën e fituar në dorë, të cilët ia kanë kthyer me ovacione dhe duke thërritur futbollistët me emra që të dilnin në ballkonin e improvizuar të festës. Pas më shumë se 30 minutave, tifozët kanë nisur të shpërndahen, ndërsa festa ka vijuar në rrugët të ndryshme të qytetit. /ShkodraWeb/