Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka larguar sot nga detyra kryetarin e Gjykatës së Përmetit, Pashk Gjaci. Vendimi eshte dhene paraditen e sotme, pas nje hetimi ne te tri kriteret qe iu be gjyqtarit.
Mungesa e dokumentacionit për pasuri të vëna nga gjyqtari në Mirditë, Laç e Velipojë si dhe të ardhurat e tij si avokat para nisjes së detyrës si gjyqtar ngritën pikëpyetje para komisionit të pavarur të kualifikimit ndërsa gjyqtari kërkoi konfirmimin në detyrë duke argumentuar se pasuria e tij ishte rrjedhojë e investimit të suksesshëm në prona të patundshme.
Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet, Pashk Gjaci u përball të hënën për dy orë e gjysmë gjatë seancës dëgjimore me gjetjet e Komisonit të Pavarur të Kualifikimit të përbërë nga Olsi Komici kryesues, Valbona Sanxhaktari relatore dhe Roland Ilia anëtar. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Mia Rosing. Relatorja Sanxhaktari evidentoi problematikat që komisioni kishte konstatuar në pamundësinë e gjyqtarit për dokumentimin ligjor të pasurive që zotëron dhe burimit të krijimit të tyre. Gjithashtu probleme u konstatuan edhe në pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin e gjyqtarit Gjaci, i cili pranoi se provat që kishte dorëzuar nuk janë në formën e duhur ligjore ndërsa argumentoi se pasurinë e tij e kishte vënë si produkt i investimeve të suksesshme në prona të patundshme.
Gjaci ka punuar si avokat për një dekadë deri në vitin 2010 kur u emërua kryetar i gjykatës së Përmetit, ndërsa të ardhurat e tij të vetëdeklaruara vijnë nga puna si avokat, nga paga si gjyqtar, nga paga e bashkëshortes si dhe nga fitimet nga pronat e patundshme.