Kush fitoi dje në mbrëmjen e 31 gushtit në stadiumin emblematik “Loro Boriçi” të Shkodrës, në premierën e munguar, VLLAZNIA – TIRANA?! Nuk dua ti hy në hak ekipit kryeqytetas,Tiranës, i cili këtë sezon pretendon seriozisht titullin e kampionit që i korespondon edhe me 100 vjetorin e krijimit të klubit mitik bardheblu. Fitoi Tirana sigurisht 2:0, por sa vlera ka kjo fitore, kur “legjendari” ENEA JORGJI me gjykimin e tij pervers, përcaktoi rezultatin?!
Pse e prishi takimin dhe atmosferën festive në stadiumin e një qyteti tejet sportdashës e objektiv në observimin pasionant e me kulturë në këndvështrimin e një publiku,që njihet historikisht për qëndrimin gjatë zhvillimit të ndeshjeve ndër vite?! Nëse në minutën e tetë do ishte akorduar një penallti 100 për qind e sigurt për shkodranët nga gjyqtari Jorgji, ndeshja do kishte fytyrë tjetër! Rezultati gjithashtu! Situata në stadium do ishte tejet festive, ashtu si dinë të festojnë vetëm shkodranët! Në një kohë kur dihet se si ky rast që është përsëritur po prej JORGJIT, ka ndodhur edhe më parë në kampionatin shqiptar!
Atëhere me të drejtë në memorje na ravijëzohet pyetja: Cili jeni ju zoti Enea Jorgji?! Kush ju ka përkëdhelur kaq shumë për të prishur me vetëdije ambientet festive te kampionatit shqiptar të superiores e për ti kthyer ato në arena të urejtjes dhe të kaosit publik mes tifozerive?!
Nëse ndikohesh,shitesh apo blihesh,apo nëse s’je i aftë të përballosh trysnitë nga cilado anë qofshin, dorëzo bilbilin dhe largohu sa s’është vonë!
Kampionati i superiores nuk duhet të funksionojë më e të hidhet në erë me rezultate të paracaktuara prej bluzave të zeza! Se përndryshe është dhe bëhet imediat një veting radikal për këto bluza të zeza, kolegjiumet e rretheve & administrimin e tyre qëndror prej FSHF… /Nga Kastriot AHMATI, Gazetar/