Pasi gjykata e Tiranës vendosi që të mbyllë hetimet për çështjen e “CEZ”, me pretendimin se nuk ka vepër penale, vjen një reagim nga kreu i grupit të Partisë Socialiste Taulant Balla. Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Balla ka sulmuar fort gjyqtarin e çështjes, Lazër Sallaku, duke e futur në grupin e ‘KÇK’-së, ‘Kap Ça të kapësh’, i njëjti që pushoi edhe akuzat ndaj kreut të PD-së Lulzim Basha për çështjen e falsifikimit të formularëve.
Balla njoftoi se do të ankimojë vendimin në fjalë, gjetje që sipas tij më pas do të çohen SPAK-ut. Sipas Ballës, ‘ÇEZ’ është një ndër dosjet më të rënda të korrupsionit në Shqipëri dhe se çdo përpjekje për mbylljen e saj, bie ndesh me pritshmëritë e shqiptarëve dhe të partnerëve të Shqipërisë për hetimin e dinosaurëve të korrupsionit.
Numri 2 i PS-së merr përsipër rolin e prokurorit. Vetëm një pozicion i tillë, nëse e sheh të arsyeshme, mund të ankimojë vendimin e marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë. Në fakt, nuk është hera e parë që Balla, në një linjë me kryeministri Rama për “KÇK”, merr përsipër të bëjë prokurorin.