“Urdhër adresuar vetëm një gazetari”, SPAK reagon pas vendimit për ti “mbyllur gojën” mediave për çeshtjen “Dumani”

Nisur nga interpretimet e bëra në media, lidhur me urdhërin e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, datë 14.06.2022 ‘’Për ruajtjen e sekretit, ndalimin e publikimit të akteve dhe përmbajtjes së tyre’’ sqarojmë se:

Ky urdhër i është komunikuar në datën 16.06.2022 gazetarit E.Q, kundrejt nënshkrimit për marrjen dijeni, pasi gazetari ka publikuar disa te dhëna sekrete, që shkonin përtej vendimit të gjykatës me objekt caktimin e masave të sigurimit personal ‘’arrest në burg’, në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 dhe që në përputhje me nenin 295/a/4 të Kodit Penal përbëjnë akte sekrete të procedimit penal nr.75/2022.


Sqarojmë se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, këtë urdhër ia ka adresuar vetëm një gazetari dhe për arsyen konkrete të sipërcituar.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po kryen te gjitha veprimet hetimore të nevojshme për të sqaruar rrethanat në të cilat informacioni hetimor sekret është transmetuar tek personat që më pas e kanë publikuar atë, me qëllim vënien përpara përgjegjësisë të personit/personave që ka/kanë nxjerrë sekretin hetimor.

Ne mirëkuptojmë interesin e mediave për informimin e opinionit publik, por ky interes nuk mund dhe nuk duhet të cenoje një hetim të filluar dhe as sigurinë publike apo individuale të personave emrat e të cilëve janë përmendur gjatë hetimit, i cili vazhdon. /Njoftim për mediat i SPAK/