Transportonte 8 emigrantë nga vendet e treta, arrestohet në Malësi të Madhe shoferi 19 vjeçar…

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas po transportonte emigrantë të paligjshëm, në drejtim të fshatit Vukpalaj, kanë organizuar punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Gjatë kontrollit të zonës, mbrëmjen e djeshme, punonjësit e Policisë Kufitare kanë konstatuar duke zbritur nga një automjet “Volkswagen”, disa emigrantë të paligjshëm, në fshatin Vukpalaj.


Falë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i drejtuesit të mjetit, shtetasit A. D.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. D. po transportonte me automjetin e tij, 8 emigrantë nga vendet e treta, me qëllim që të kalonin kufirin, në mënyrë të paligjshme.

Në përfundim të veprimeve, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shkodër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. D., 19 vjeç, banues në Ndroq, Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër.