“Do ta kryeni më së miri këtë shërbesë, që Ju është besuar”, Kisha Katolike mesazh urimi presidentit të sapozgjedhur…

Arqipeshkvi i Dioqezes Shkodër-Pult, imzot Angelo Massafra ka uruarp presidentin e sapozgjedhur të Shqipërisë Bajram Begaj. Në mesazhin drejtuar atij, lexohet:

Shumë i Nderuar Zoti Begaj,


Në emrin tim, si Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë edhe në emër të ipeshkvijve të Kishës katolike, si dhe të të gjithë besimtarëve katolikë në Shqipëri, Ju uroj për zgjedhjen Tuaj në detyrën e lartë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Shprehim besimin dhe shpresën tonë se Ju do ta kryeni më së miri këtë shërbesë, që Ju është besuar nëpërmjet kësaj zgjedhjeje nga Parlamenti i Shqipërisë. Në këto momente të vështira për Evropën dhe për botën, për shkak të Luftës ende të ndezur në Ukrainë edhe të Pandemisë që akoma nuk e kemi kaluar, po ashtu edhe të problemeve të tranzicionit të tejzgjatur të shoqërisë shqiptare, urojmë që me urtësinë dhe përkushtimin Tuaj, të jeni një element përbashkimi dhe shenjë e dukshme e unitetit të popullit tonë.

Fuqizimi i demokracisë ka në themelin e saj, si një ndër elementet përbërëse thelbësore, përkushtimin dhe qartësinë e secilit në detyrën dhe në misionin e tij. Ne Ju sigurojmë mbështetjen tonë me anë të lutjes drejtuar Hyjit dhe të bashkëpunimit për mbarëvajtjen e misionit Tuaj në shërbim të Atdheut dhe të demokracisë.

Në pritje që ta takohemi sa më parë, uroj çdo të mirë për Ju dhe familjen Tuaj.

Me nderime,

+ Mons. Angelo Massafra ofm
Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër – Pult
Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë