Shkëmbinjt në malin e Torovicës vijojnë të jenë një kërcënim serioz për jetën e banoreve dhe të kalimtareve. Tre muaj pas tragjedisë ku humben jetën tre persona situata mbetet e njëjtë. Shkëmbinj të tjerë rrezikojnë të bien, ndërsa edhe pse u kërkua ndërhyrje e menjëhershme, autoritetet përgjegjëse nuk kanë marrë asnjë masë për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla siç ishte ajo e muajit tetor të vitit që lamë pas. Banorët e Torovicës thonë se jetojnë me frikë, pasi shkëmbinjtë janë një kërcënim serioz për zonën e banuar.
“Shumë problematike është. Ka shumë gurë që rrezikojnë të bien. Skanë marrë masa përvecc dy tabelave që kanë vendosur nga të dyja anët. Jetojmë me frikë. Shteti të marri masa ose të na heqi ne ose këta.”, shprehet njëri prej banorëve, ndërkohë që një tjetër banor shton se: “Jemi shumë të frikësuar, por nuk ka marrë asnjë masë as shteti që në fillim që ka ndodhur ngjarja. Ka më shumë probleme se është pjesa e Lugut që ka shumë gurë të mëdhenj dhe të lëvizshëm”.
Në prefekturën e Lezhës nuk ka asnjë përgjigje për këtë problematike. Në dhjetor zonën e inspektuan edhe forcat xheniere te ushtrisë. Ne mungesë të kapacitete që realizojnë ndërhyrje të tilla, Bashkia e Lezhës kërkoi mbështetjen e tyre, ndërsa ka vënë në dispozicion mjete dhe fuqi punëtore dhe presin ndihmën e ushtrisë. Këtë e bëri të ditur kryetari i Bashkisë Lezhë Fran Frrokaj.
“Ne kemi bërë një shkresë edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave dhe Ministrisë së Mbrojtjes si dy organe të cilat kanë kapacitetet e tyre edhe në mjete edhe intelektuale që të ndërhyjnë. Është një kërkesë e dërguar në datë 15/12/2017 dhe jemi në pritje të përgjigjes së tyre. Unë në një komunikim me Drejtorin e Përgjithshëm të emergjencave , ku ishim korrekt të dy palët, por gjithsesi unë do ta quaj të përfunduar procesin në momentin që do ti shoh ata këtu”, është shprehur Kryetar i Bashkise Lezhë Fran Frrokaj.
Edhe pas këtij inspektimi asgjë nuk ka ndryshuar dhe shkëmbinjtë vazhdojnë të bien përgjatë rrugës së Torovicës. /shqiptarja.com/