“Taulant Balla, Elbasani ty të do”, pas 150 mijë frangave për Poloninë, FSHF tjetër gjobë nga FIFA…

Kombëtarja shqiptare vazhdon të vuajë pasojat e veprimeve të ndodhura jashtë fushës, por jo vetëm. Pasi u gjobit nga FIFA me 150 mijë franga dhe 1 ndeshje pa praninë e tifozëve për shkak të incidenteve të ndodhura në ‘’Air Albania’’ në sfidën me Poloninë, Kombëtarja ka marrë një goditje tjetër.

FSHF-ja është gjobitur nga FIFA dhe dy herë të tjera. E para, për dronin që u ngrit në “Air Albania” në sfidën ndaj Hungarisë në 5 shtator. Droni mbante një banderolë ku shkruhej “Taulant Balla, Elbasani ty të do”.


Këtë FIFA e cilëson si ‘’veprim që cënon sigurinë e ndeshjes që përfshin hedhjen e objekteve, ngritjen e dronëve apo përcjelljen e mesazheve jo të duhura për një ndeshje sportive. Për këtë, FSHF-ja është gjobitur me 37 500 franga.

Shtuar kësaj shumë dhe gjoba prej 5 mijë frangash për shkak të tejkalimit të numrit të kartonëve në sfidën ndaj Polonisë që kuqezinjtë luajtën në transfertë në datën 2 shtator. Një lajm jo i mirë për FSHF-në që i kushton shumë pas rikthimit të tifozëve në stadiume pas më shumë se 1 viti.