“Superkupa vjen të shtunën në Shkodër”, futbollisti i Vllaznisë Arsid Kruja është i bindur…

Arsid Kruja, mesfushori shkodran, shpre son që Vllaznia ta fillojë me trofe sezonin e ri. Përballja e së shtunës në finalen e Superkupës me Teutën shikohet edhe si një takim ku shkodranët do të kërkojnë edhe njëfarë revanshi ndaj skuadrës durrsake për kurorën e titullit që ua rrëmbeu falë diferencës me gola. Kruja, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ka folur edhe për sezonin e ri, skuadrën dhe objektivat që kanë kuqeblutë.

Vllaznia të shtunën në luftë për trofeun e parë të sezonit, si e shikoni finalen e Superkupës me Teutën?


Është një përballje shumë e fortë, ku të dyja ekipet, si Vllaznia, edhe Teuta, kanë treguar se janë shumë të forta. Besoj që do të jetë një ndeshje që do të dhurojë shumë emocione. Ne jemi përgatitur për të sjellë trofeun në Shkodër. Besoj që do t’ia arrijmë një gjëje të tillë.

Triumfi në Superkupë mund të nënkuptohej që Vllaznia e meritonte titullin kampion sezonin e shkuar?

Viti që kaloi nuk kthehet më. Ne shikojmë përpara, pasi edhe në organikë kemi disa lojtarë të tjerë. Shpresoj që afrimet e reja të na ndihmojnë në vazhdimësi.

Si duket gjendja e skuadrës para kësaj sfide?

Gjendja duket shumë e mirë. Kemi marrë shumë ngarkesa, si dhe kemi zhvilluar disa ndeshje miqësore. Por, në ditën e ndeshjes do të jemi në gjendje të mirë fizike dhe do të japim maksimumin për ta fituar këtë trofe.

Si ju duket Vllaznia e këtij sezoni që është në prag?

Këtë vit shpresojmë të fitojmë titullin kampion. Megjithatë, për ta fituar duhet shumë punë dhe sakrifica. Objektivi minimal janë Kupat e Europës. Ky vit shpresojmë të jetë sërish viti ynë.

E shikoni ekipin me të njëjtat pretendime si sezonin e shkuar?

Të themi të drejtën askush nuk e ka pritur që Vllaznia të arrijë në ato nivele në sezonin e shkuar. Puna e madhe solli një Vllazni shumë të fortë për çdo kundërshtar. Këtë vit besoj se do të jemi edhe më mirë sesa sezoni që shkoi.

Nisur nga përbërja, ekipi aktual është më cilësor se vjet?

Nuk nisemi nga individët, por nga grupi. Shikoj një grup shumë të mirë, me djem që punojnë dhe japin maksimumin dhe kjo gjë do të na bëjë të jemi më të fortë për të arritur objektivat tanë. Konkurrenca është e madhe në çdo sektor të fushës.