“Saga Idromeno”, publikohet nga shkrimtari Kolec P. Traboni monografia për shkodranin e mirënjohur…

Jeta e të madhit Kol Idromeno nuk ka qenë tabu. E kanë trajtuar, kanë folur për të nëpër vite, në kohë të shkuar e të mëpastajme, madje dikush nga vogëlsia e vet edhe e ka përgojuar. Ajo që ka qenë tabu gjithherë ishte fati i rrethit të tij familjar.

Synimi i kësaj monografie është që të sillen para lexuesve ato që njihen e çfarë nuk njihen si një e tërë në Universin Idromeno, krejt ndryshe nga se konceptohet nëpër galeri apo ekspozita nën ndriçimin e projektorëve mbi veprat, duke u dhënë dritën e duhur për ti përjetuar estetikisht.

Mirëpo pjesa tjetër që e rrethon këtë mjeshtër të pikturës shqiptare dhe plot arteve të tjera, lihet gjithherë në tymnajë e harrim. Dihet që kërshëria njerëzore ka qenë e mbetet tundimi për të njohur atë që i fshihet syve të publikut, që mbetet nën hije, në prapaskenë apo pas tablove. Në këtë monografi kemi një shfaqje të tillë ku skena e prapaskena njëjtësohen, ashtu siç ka qenë në jetë. Dhe Sagë. Pse Sagë?

Sepse Saga në prejardhje vjen nga rrëfimet e moçme në ishujt e veriut të kontinentit, të cilat konsideroheshin më së shumti kronikë bëmash historike, përmbajtja e tyre ishte dramatike, shpesh shprehte pikëllim për jetët e humbura njerëzore duke u përshkruar kësisoj edhe me elementë tragjikë. Në rrethin familjar të Kol Idromenos dhe motrës së tij Antoneta Idromeno- Skanjeti (Motra Tone), i gjen të gjitha këto elemente; gëzimin, melankolinë, vuajtjet dhe tragjizmin.

Libri përbëhet nga katër kapituj, Familja Idromeno & Skanjeti, Pasardhësit e tyre në Shqipëri, Pasardhësit e tyre në Kosovë dhe një Album i pasur fotografik nga e shkuara deri në ditët e sotme. Në fund të librit është vendosur treguesi i emrave, Gjenealogjia sipas familjeve Idromeno, Skanjeti: Zef Andrea Skanjeti, djali i Motrës Tone, si dhe pesë vajzave të saj Milena Zorba, Orsolina Çoba, Katrina Traboini si dhe dy vajzave të martuara në Pejë të Kosovës, Domenika Vila dhe Matilda Nulleshi.

Monografia “Saga Idromeno” ka 260 faqe dhe është pasuruar me 116 fotografi me shpjegime sipas thënies kuptimplotë një fotografi një histori dhe shënon librin e 40 në krijimtarinë e autorit Kolec P. Traboini. /Pantheon Books Info/

Open

Close