![](https://www.shkodraweb.com/wp-content/uploads/2024/01/marina-duhani-edmond-ndou-2024-1024x537.jpg?x28643)
Këshilli i Qarkut Shkodër, pritet që shumë shpejt të ndryshojë titullarin. Burime jo zyrtare pranë PS- së dhe PSD- së, pranojnë mndaras se një rokadë për lidershipin e nivelit të parë të qeverisjes vendore në Shkodër, mund të ndodhë shumë shpejt. Sigurisht, PSD nuk është shumë e kënaqur nga kjo lëvizje që mund të ndodhë shumë shpejt, shkruan ShkodraWeb.
Alternativat që përfliten, variojnë nga dorëheqja e titullares Marina Duhani, përfaqësuese e PSD, deri tek një mocion mosbesimi për shkarkimin e saj nga posti i kryetares së Këshillit të Qarkut Shkodër. Në drejtimin e institucionit, emri më i lakuar është ai i Edmond Ndou, koordinator i PS- së Shkodër dhe më herët, drejtues lokal i LSI- së, i bashkuar me socialistët pas largimit të deputetit Agron Çela nga forca politike e drejtuar nga Ilir Meta.
LEXONI EDHE: Marrëveshja PS- PSD funksionon, nuk ka surpriza, Marina Duhani zgjidhet kryetare e Këshillit të Qarkut Shkodër
Duhani, u zgjodh kryetare e Këshillit të Qarkut Shkodër në mes korrikun e vitit të kaluar, e mbështetur nga 19 votat kryesisht socialiste në këtë institucion, përfaqësues të 5 bashkive Shkodër, Vau- Dejës, Malësi e Madhe, Pukë dhe Fushë Arrëz. Edhe pse jo zyrtarisht, ka patur një marrëveshje të pashkruar mes PSD dhe PS për këtë pozicion.
Prej më shumë se 6 muajsh në drejtimin e Këshillit të Qarkut Shkodër, kryetarja Duhani nuk ka arritur të ketë impaktin e duhur qoftë edhe publik. Ka qendruar larg mediave, pa shpalosur vizionin e saj e të institucionit që drejton, nuk ka qenë as politikisht aktive, edhe pse mbulon një pozicion shumë të rëndësishëm, nuk ka qenë në sintoni apo sinkron me institucionet e tjera të qeverisjes vendore të zgjedhura apo të emëruara. Mbase të gjitha këto kanë ndikuar që qendrimi i saj në këtë detyrë, të vihet në pikëpyetje të madhe, thonë burimet të cilave u referohet Shkodraweb.
E diplomuar në Spanjë për tregti ndërkombëtare, me eksperiencë pune me disa shoqata, Marina Duhani zëvendësoi Hilmi Laktin e PS- së, i cili e drejtoi 4 vitet e fundit këtë organ të qeverisjes vendore.