Nga dita e sotme, në pikat e shitjes së gazetave, është shfaqur edhe një titull i ri. Bëhet fjalë për gazetën “Legaliteti”, një gazetë që vjen si publikim i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Dega Shkodër.
Pavarësisht se një gazetë politike, në një treg ku përditë zhduken shumë tituj të shtypit të printuar, dalja e një gazete, qoftë edhe e përkohshme, është një lajm i mirë për Shkodrën por edhe më tej.
Bëhet me dije se gazeta “Legaliteti”, do të dalë disa numra gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 maj 2023 dhe do të shpërndahet falas në pikat e shitjes së shtypit.
Në faqet e kësaj gazete, do të gjeni përveç asaj që mund të quhet pjesa elektorale, edhe evidentimin e vlerave që kjo parti politike e djathtë bart, duke patur në zanafillë Mbretin Ahmet Zogu dhe pasardhësit e tij.
Dalja e kësaj gazete të djathtë, pavarësisht se botim i PLL- së, sjell në mendje të Djathtën e Bashkuar Shkodrane- DBSH, e cila në 1996- ën fitoi Bashkinë e Shkodrës me Bahri Boriçin dhe arriti të ketë edhe deputet në Kuvend.