![](https://www.shkodraweb.com/wp-content/uploads/2024/01/bardhi-berisha-2024-1024x537.jpg?x28643)
Gazment Bardhi i ftuar në “5 pyetjet nga Babaramo” në Report Tv ka zbardhur detaje nga mbledhja e sotme me Rithemelimin që shënoi dhe bashkimin e tyre zyrtar.
“Tema e bashkimit ishte tema që dominonte dhe diskutimet. Kishim diskutime për një projekt të përbashkët politik. Ajo që ndodhi sot ishte formalizimi i një vullneti të përbashkët që të jemi bashkë. Mosbesimi mes palëve për objektivat që duam të arrijmë ishte i madh. Të gjithë thamë çfarë mendonim dhe se kush ishte qëndrimi jonë për çështje të caktuara. Çështja e partisë edhe sot që flasim mbahet pezull pa asnjë arsye nga gjykatat shqiptare. Ishte çështja më e vështirë”, tha Bardhi.
Ndonëse nënvizoi se ka bërë betejë për lidership të ri dhe se ende mendon se opozita duhet të ketë lidership të ri, theksoi se pas dështimit në këtë përpjekje zgjodhi t’i bindet vullnetit të shumicës.
“Qëndrimi im ka qenë dhe është që beteja është bërë për ta forcuar PD-në. Ne kemi punuar për zgjidhjen optimale. Një lidership i ri do të ishte zgjidhja optimale për PD-në. Kështu e gjykoj unë. Për fat të keq, mendimin tim nuk e ndanë shumica e anëtarëve të partisë. E vetmja zgjidhje që mbetet është që duhet të respektohet vullneti i shumicës pavarësisht se cfarë do të tregojë koha. Zgjedhjet e ardhshme janë pas një viti, kemi humbur shumë kohë nga ky debat dhe lidhjen me qytetarët” tha ai.