Bashkia e Shkodrës prej 3 ditësh po përballet me problematikat e krijuara nga reshjet e pazakonta të dëborës por edhe ngricat që pasuan ato me rënien e temperaturave. Pavarësisht se njësia më e madhe e qeverisjes vendore në Veri dhe ndër më të mëdhatë në vend, vëmendja e qeverisë është zero.
Deri tani, asnjë nga ministrat e qeverisë aktuale nuk shihen në territor. Qoftë ata të shkarkuar por në detyrë, që janë edhe deputetë të zgjedhur të Qarkut, qoftë edhe të tjerë që shëtisin sa në një zonë të vendit në tjetrën aty ku ka problematika me dëborën. Ndihma e strukturave qeveritare, duke njohur vështirësitë e krijuara dhe kapacitet e pakta të qeverisjes lokale në një territor të gjërë e të thyer, do të ishte e vlefshme sidomos për zonat e thella malore. Mbase duhet kujtuar se në këtë vend, përveç Dibrës, Korçës, Gjirokastrës ka edhe një bashki me emrin Shkodër, ku përveç të djathtëve, votohen edhe politikanët e majtë.
Fatkeqësisht në të njëjtën linjë, janë edhe deputetët e qarkut, të të gjitha ngjyrave politike. As ata nuk shihen në territor, edhe pse prania e tyre, të paktën do tu jepte njerëzve shpresë edhe thjesht si solidaritet njerëzor. Madje, nuk ka as dalje televizive për të bërë presion ndaj qeverisë apo ministrave të veçantë që të sjellin vëmendjen nga Shkodra, meqenëse vazhdon të jetë pjesë e Republikës së Shqipërisë.