Edi Rama ka publikuar sot listën e qeverisë së re që mund të konsiderohet edhe “Rama 3”. Ajo që bie në sy, janë emrat e rikonfirmuar në ekzekutiv duke nisur me Arben Ahmetaj, Olta Xhaçka, Niko Peleshi, Belinda Balluku, Ogerta Manastirliu, Bledi Çuçi, Evis Kushi, Elva Margariti, Elisa Spiropali dhe Milva Ekonomi.
“Surprizë” mund të konsiderohet Ulsi Manja në dikasterin e Drejtësisë, Edona Bilali Ministre Shteti për Sipërmarrjen, Bora Muzhaqi Ministre Shteti për Rininë e Fëmijët, Delina Ibrahimi (ish- drejtore e përgjithshme e Tatimeve) si Ministre e Financave, Mirela Kumbaro e rikthyer si ministre e Turizimit dhe Mjedisit dhe Frida Krifca si Ministre e Bujqësisë.
Ndërsa Krifca vjen nga drejtimi i AZHBR- së si agjensi e qeverisë, Muzhaqi (ish- kandidate për deputete) “kërcen” nga zëvendësministre në titullare dikasteri, edhe pse ministrat e shtetit kanë stafe jashtë mase të reduktuara. Kryeministri Rama ka zgjedhur vazhdimësinë në qeverisje por edhe emrat e rinj nuk mund të konsiderohen jashtë politikës apo teknikë. Praktikisht, ai nuk ka parashikuar apo realizuar asnjë surprizë.
Nga 17 antarë qeverie përfshi edhe kryeministrin, 12 janë gra dhe vetëm 5 burra. Mesa duket, Edi Rama është i bindur se gratë janë më punëtore se burrat, teksa mbi 2/3 e qeverisë janë të gjinisë femërore. Sa i takon Shkodrës, krahasuar me qeverinë e prezantuar 4 vite më parë, kur përfaqësoheshim me një zëvendëskryeministër dhe një ministër (Mesi, Bushati), në kabinetin “Rama 3” përfaqësohet me me një ministër shteti, Edona Bilali. Kjo, edhe pse deri pak orë para shpalljes së emrave, Benet Beci konsiderohej si kandidat i fortë për ministër, në garë me Ballukun, për të njëjtin dikaster. /ShkodraWeb/
Zëvendës kryeministri do të jetë Arben Ahmetaj
Ministri për Punët e Jashtme dhe Europën Olta Xhaçka
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja
Ministri i Punëve të Brendshme Bledi Çuçi
Ministri i Financave Delina Ibrahimi
Ministri për Infrastrukturën Belinda Balluku
Ministri i Shëndetësisë Ogerta Manastirliu
Ministri i Arsimit Evis Kushi
Ministri i Kulturës Elva Margariti
Ministria e Bujqësisë Frida Krifca
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro
Qeveria e re do ketë katër ministra shteti:
Elisa Spiropali ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin
Edona Bilali ministre e Shtetit per Mbrojtjen e Sipermarrjes
Bora Muzhaqi ministre e Shtetit per Rinine dhe Femijet
Milva Ekonomi ministre e Shtetit per Standardet dhe Sherbimet